Dy drejtues automjetesh janë vënë në pranga pas aksidentit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e 5 dhjetorit në Unazën e Madhe, ku humbi jetën një 38-vjeçar që drejtonte një motomjet.
Sipas Policisë së Tiranës, janë arrestuar shoferët me inicialet Gj. L., 51 vjeçe, dhe A. Sh., 24 vjeç, të cilët dyshohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Nga përplasja e fortë mes tre mjeteve, motomjeti i drejtuar nga viktima O. Xh. u dëmtua rëndë, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Policia njoftoi se pas kryerjes së veprimeve procedurale dhe këqyrjes së vendngjarjes, u vendos arrestimi i dy drejtuesve të automjeteve, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave vijojnë.
Forcat e qarkullimit rrugor bëjnë apel për respektim të rregullave të qarkullimit, pasi shpejtësia dhe pakujdesia mbeten ndër shkaqet kryesore të aksidenteve të rënda në kryeqytet.
