Abbas Araghchi ka ngritur alarmin për pasoja të rënda bërthamore, pas sulmeve të raportuara pranë Centrali bërthamor i Bushehrit, duke paralajmëruar për rrezik serioz për rajonin e Gjirit.
Në reagimin e tij, ai deklaroi se çdo dëmtim i rëndë në këtë central mund të shkaktojë përhapje të materialeve radioaktive, të cilat sipas tij mund të kenë pasoja shkatërruese për vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, duke rrezikuar jetën në kryeqytetet e tyre.
Zyrtarët iranianë pretendojnë se centrali është goditur disa herë gjatë konfliktit aktual, ndërsa akuzojnë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për përgjegjësi, megjithëse këto të fundit nuk e kanë konfirmuar përfshirjen.
Sipas autoriteteve iraniane, sulmet nuk kanë dëmtuar pjesët kryesore të uzinës dhe funksionimi i saj vijon normalisht. Megjithatë, për shkak të pranisë së materialeve radioaktive, çdo goditje e mëtejshme mund të çojë në një aksident të madh bërthamor.
Centrali bërthamor i Bushehrit është i vetmi central bërthamor operativ i Iranit dhe konsiderohet një objekt strategjik me rëndësi të lartë. Ndërkohë, Rusia ka nisur evakuimin e një pjese të stafit të saj nga objekti, duke shtuar shqetësimet për përshkallëzim të situatës.
Tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa zhvillimet e fundit rrisin frikën për një krizë më të gjerë me pasoja jo vetëm rajonale, por edhe globale.
