Dekriptimi i bisedave në platformat “SKY ECC” dhe “ENCRO CHAT” nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe vënia në dispozicion të pjesës për Shqipërinë, ka çuar në arrestimin e dhjetëra personave, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ngritur akuza ndaj tyre dhe kjo lëvizje ka shkaktuar një reagim të gjerë pas arrestimeve të shumta të zyrtarëve të lartë dhe baronëve të drogës e krimit. Tashmë do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë nëse komunikimet në platformën “SKY ECC” do të mund të shërbejnë si prova ose jo për SPAK. Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i vënë në pranga në kuadër të operacionit Metamorfoza, përmes avokatëve të tij depozitoi një padi në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkoi shpalljen të pavlefshme të provave që janë paraqitur nga ana e Prokurorisë së Posaçme, që janë bazuar në të dhënat e aplikacioneve të koduara “SKY ECC” dhe “ENCRO CHAT”.
Por teksa kjo çështje pritet të shqyrtohet, gazetari i njohur, Basir Çollaku ka hedhur një “bombë”, duke zbuluar përmes një shkrimi denoncues se po bëhet presion mbi Gjykatën Kushtetuese dhe anëtarëve të saj, për të përjashtuar përgjimet e këtyre platformave, duke treguar se grupet kriminale dhe zyrtarët e fuqishëm po lëvizin fijet për t’i “prerë duar” SPAK. Kjo pasi nëse Gjykata Kushtetuese, i cilëson këto përgjime si të paligjshme, ky vendim do të paralizojë hetimet e SPAK për një çështje të rëndësishme që ka shkaktuar debate të mëdha brenda dhe jashtë Shqipërisë, sikundër është hetimi i shumë ngjarjeve kriminale dhe korruptive, pjesë e së cilës janë pushtetarë të lartë që bashkëpunojnë me krimin e organizuar
Ja denoncimi i plotë i gazetarit
Në Gjykatën Kushtetuese ka presion e shantazh të madh, për të rrëzuar përdorjen e përgjimeve të telefonave të kriptuar si procedurialisht të ligjshme në dosjet e mëdha penale nisur nga këto materiale. Ka edhe gjyqtarë të kësaj trupe, të përfshirë në biseda me të pandehur të këtyre procedimeve të angazhuar drejtpërdrejt në këtë sulm kundër. Grupet kriminale mbështetëse, lobuese, kanë fuqi të shumta në emra të rëndësishëm të pushtetit, gjendur në kurthin e materialeve të sekuestruara të aplikacioneve. Të akuzuar të dosjes ‘Metamorfoza’ kanë dërguar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese duke hapur shtegun e mundësisë së rrëzimit të këtyre akuzave bazuar ne aktet e prodhuara nga ‘SKY-EncroChat’. Flitet për kanosje serioze por të identifikuara nga shërbimet e Strukturës së Posaçme, të inteligjencës dhe partnerëve. Vendimet e Strasburgut kanë dhënë mundësi drejtësisë të vendeve ku gjenden të akuzuarit, të marrë në konsideratë këto përgjime, duke shkuar te provat të marrë në hetim personat e përfshirë në vepra të rënda krimit të organizuar e trafikut të drogës.
Përgjimet mes bandave, krimit të organizuar, mafias, qeveritarë, politikë, deputetë, ministra, bashkiakë, medie, biznese, prokurorë, gjyqtarë, funksionarë të drejtësisë, janë ferri penal ku mund të shemben një numër i frikshëm emrash me pushtet e para të pakufizuar deri më sot. Bisedat shqip zënë mbi 30 përqind në serverin nga dalin të dhënat. Ndaj halli është i madh për shumë e shumë funksionarë zyrash. Miliona faqe. Miliona mesazhe. Mijëra foto, video. Një arsenal ku duhet nga një SPAK për dosje. ‘EncroChat’ është pusetë me thellësi tronditëse. Krahasuar me fashikujt aktualë, ajo rrëzon shumë pushtete politike, ekzekutive, parlamentare, drejtësisë, mediatike, diplomatike. Vështirë të ndalosh në emra të munguar të fortësh publikë. Krimi elektoral është në çdo prurje. Shumë të pandehur shqiptar, ndaluar në Dubai dhe vende të tjera po gjykohen në Belgjikë e vende të tjera të Evropës.
