Sot protesta e opozitës, policia bllokon 15 rrugë në Tiranë nga ora 18:00 deri në përfundim të tubimit dhe iu bën…

Data

“Sot në Shqipëri fillon mos-bindja civile, i përgjigjemi Ramës dhëmb për dhëmb”. Me këtë thirrje të kryetarit të saj Sai Berisha, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” dhe i marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe me kërkesën kryesore për të shkuar drejt zgjedhjeve të ardhshme parlamentare me qeveri teknike dhe pa Edi Ramën kryeministër, Partia Demokratike do të zhvillojë ditën e sotme protestë kombëtare. Opozitarët kanë paralajmëruar protestë pa fjalime, që fillimisht do të përqendrohet para godinës së Kryeministrisë, e më pas protestuesit do të shpërndahen nëpër rrugët e Tiranës. Nisur nga ky skenar, policia ka marrë masat, ndërsa njoftoi dje se do të jenë të paktën 15 akse dhe kryqëzime të të gjithë kryeqytetit që mund të bllokohen nga grumbujt e protestuesve, deri në përfundim të tubimit. Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe disa akse rrugore.

Disa nga kryqëzimet e bllokuara do të jenë: Kryqëzimi i Librit Universitar, kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”, kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi te ish-stacioni i trenit, kryqëzimi i urës së Taivanit, kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”, kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”, kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave, kryqëzimi i pallatit me shigjeta. Policia bëri apel edhe për shmangien nga aktet e dhunës, ndërsa mijëra efektivë policisë, të forcave shqiponja e FNSH do të jenë të angazhuar për protestën. Protesta e së hënës, e cila paralelisht po shoqërohet edhe me aksion në parlament të deputetëve opozitarë vjen pas arrestimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji.

Ja njoftimi i plotë i Policisë

Policia e Shtetit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave, është angazhuar plotësisht për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit që do të zhvillohet më datë 07.10.2024, në orën 18:00, në qytetin e Tiranës. Njoftojmë qytetarët se më datë 07.10.2024, në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët:”Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe në këto akse rrugore:

1. Kafe “Europa” – Segmenti “Ushtari i panjohur” deri te 9-katëshet;

2. Shkolla “1 Maji” – kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit;

3. Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;

4. Sheshi “Skenderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës;

5. Kryqëzimi i Librit Universitar;

6. Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”;

7. Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”;

8. Rrethrrotullimi “Zogu i Zi”;

9. Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit;

10. Kryqëzimi i urës së Taivanit;

11. Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”;

12. Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”;

13. Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave;

14. Rruga “Dritan Hoxha”, përpara vendit të quajtur “Kupola”;

15. Kryqëzimi i pallatit me shigjeta.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related