Gjithë këto vite, politika, institucione të kontrolluara prej saj dhe drejtësia e vjetër, kanë qenë bashkë duke shpëtuar pasuritë e tyre të paligjshme. Të gjithë kanë menduar se do t’ia hedhin paq, pasi kanë besuar se i kanë eliminuar të gjitha provat në aferat e tyre. Por është pasuria, elementi që pritet të fundosë politikanë e oligarkë. “Follow the Money”, kjo është skema amerikane që po ndjek SPAK, si udhërrëfyes në luftën kundër pasurisë së paligjshme. Ishte i njëjti model që fundosi ish-ministrin socialist Arben Ahmetaj. E njëjta skemë po përdoret për të shkatërruar plotësisht dhe familjen “Meta-Berisha”, ku bashkë me ta do të shkatërrohen gjithë bashkëpunëtorët e tyre për vendosjen e pasurive të pista. Hapi tjetër i SPAK-ut do të jetë të godasë të gjithë rrethin e afërt të Berishës e Metës dhe paratë që financojnë aktivitetin e tij.
Prokurorët e SPAK janë asistuar gjithë këto kohë nga agjentë të FBI, si edhe ekspertë të fushës që bënë të mundur zbulimin e provave që Berisha e Meta kanë tentuar t’i groposin. Tani do të fillojë tmerri dhe “ditët e zeza” për familjet e tyre, pasi skaneri i pasurive të pajustifikuara të tyre do të zgjerojë rrethin edhe tek biznesmenët, oligarkët, si edhe personazhe nga shoëbizi që i kanë përdorur gjithë këto vite për të kamufluar pasuritë e tyre. Përgjatë viteve të dinastisë së babait të tyre, dy fëmijët e Sali Berishës kanë grumbulluar një pasuri përrallore dhe perandorake, e cila nuk justifikohet kurrsesi me të ardhurat e tyre të ligjshme dhe të deklaruara.
SPAK fundos Shkëlzenin
Transfertat bankare ndër vite të konstatuara mes biznesmenit Ismail Mulleti dhe Shkëlzen Berishës, djalit të ish kryeministrit, Sali Berisha, janë duke u hetuar për herë të parë nga Prokuroria e Posaçme, në kuadër të dosjes së ndarë për çështjen Gërdeci. Sipas gazetarit Ermal Vija, të njëjtat hetime që janë përqendruar tek gjurmimi i parasë, kanë evidentuar edhe përfitime që biznesmeni Mulleti ka marrë nga lidhja e një koncesioni në shkurt të 2013-ës për markimin dhe gjurmimin e naftës kontrabandë në periudhën që qeveria drejtohej nga Sali Berisha. SPAK ka identifikuar një transaksion bankar nga llogaria e Mulletit në drejtim të Shkëlzen Berishës për të cilën ka dyshime se mund të jetë dhënë në formë korruptive për lidhjen e kontratës. Hetimet e ndara nga SPAK për çështjen Gërdeci janë të regjistruara për akuzën e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe atë të pastrimit të parave. Në sajë të këtyre hetimeve gjatë pranverës së këtij viti, SPAK ka ushtruar disa kontrolle përfshi edhe ambiente kompanish duke sekuestruar disa telefona celularë dhe dokumente qe pritet ti vijnë ne ndihme hetuesve.
Hetimet për Gërdecin
Hetimet për këtë dosje vijojnë në dy drejtime, së pari lidhur me procedurën e shitjes së municioneve nga ndërmarrja “Meico” ndaj shoqërive “Evdin” ltd. dhe “AEY” inc. në vitin 2007, vetëm 1 vit para se të ndodhte shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve dhe municionit në Gërdec që i mori jetën 28 personave dhe plagosi qindra të tjerë. Prokuroria ka dyshime se për lidhje e kontratës së shitjes së municioneve ka patur ndikimi nëpërmjet korrupsionit tek zyrtarët e lartë të kohës. Për këtë , janë duke u verifikuar transaksionet bankare te kryera nga disa zyrtarë dhe të afërmit e tyre, për të cilët ka pasur dyshime se mund të kenë ndikuar në lidhjen e kontratës. Ndjekja e parasë, siç duket ka bërë që SPAK të shtrijë hetimet edhe të transaksione që lidhen me markimin e naftës. Kontrata koncesionare me kompaninë që do të kryente markimin dhe gjurmimin e naftës kontrabandë është lidhur mes shtetit shqiptar dhe kompanisë GFI Albania që përfaqësohej nga Ismail Mulleti dhe një bashkë-ortak i tij, në kohën që qeveria drejtohej nga Sali Berisha.
Prej 2 vitesh kompania nuk është më në pronësi të Mulletit por rezulton se është shitur tek një shtetase turke. Pra, si përfundim, dosjet korruptive që po heton SPAK për familjen “Berisha”, vërtetojnë denoncimet e gazetës “SOT” në gjithë këto vite për zyrat e reja të Sali Berishës, Shkëlzenit dhe Argitës, për justifikimin e të cilave do të duhej buxheti i një ministrie. Vilat në Farkë, rezidencat në Gjirin e Lalzit, zyrat e reja tek Liqeni Artificial, dhjetëra apartamente në Tiranë dhe Evropë, dhjetëra llogari bankare etj., janë vetëm një pjesë e pasurisë së fëmijëve të Sali Berishës, të cilët nuk kanë asnjë biznes të deklaruar për të justifikuar pasurinë që posedojnë.
