Rama-Berisha “pazar” me burgun e Salianjit, gjyqtarët që i dhanë vulën e PD “non-gratës” dënojnë me 1 vit burg…

Data

Në një atmosferë tensioni dhe polemikash, saga e dosjes “Babale” ka marrë një kthesë të rëndësishme me vendimin e Gjykatës së Apelit. Dje Gjykata e Apelit dënoi me 1 vit burg deputetin Ervin Salianjin, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Deputeti demokrat u shpall fajtor për “kallëzim të rremë” për përfshirje në inskenimin e audio-përgjimit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, e njohur dhe si dosja “Babale”. Por dënimi me një vit burg për Ervin Salianjin shënon një moment të rëndësishëm në skenën politike shqiptare, duke nxjerrë në pah “pazaret” mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky vendim ka ngritur dyshime për një marrëveshje të fshehtë Rama-Berisha, ku drejtësia shfaqet si mjet në duar të politikës. Konkretisht e njëjta gjyqtare që i dha vulën e PD Sali Berishës të shpallur “non-grata” nga SHBA dhe Britania me porosi të kryeministrit Edi Rama, dënoi Salianjin. Pra duket se jemi përballë një pazar të pastër. Berisha pasi mori vulën e Partisë Demokratike, liroi Salianjin. Thënë troç ky vendim është në dobi të Sali Berishës, pasi me largimin e Salianjit, po pastron partinë nga njerëzit me peshë për t’i hapur rrugën Argita Malltezit për të marrë drejtimin e PD. Ndërkohë sipas vendimit të Gjykatës dhe ligjit, Salianji, si një nga “viktimat” e radhës të demokratëve, humbet mandatin e deputetit dhe ndalon së qeni pjesë e procesit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 dhe 2029.

Detajet

Prokurori i Apelit Arben Qose ka marrë dje vendimin e Apelit dhe ia ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme për ekzekutim. Burime për me dije se sot në mëngjes do të hidhet shorti për të caktuar prokurorin dhe më pas ku i fundit do të firmosë vendimin për ekzekutimin e arrestit. Ndërsa Salianji e quajti vendimmarrje politike. “Dosje e kopsitur nga fillimi në fund. Vendimmarrje politike. Dënim politik. Do ta shohin si do të shkojë historia. Jam i nderuar dhe kam medalje që shndrit në karrierën politike. Unë do të jem në dispozicion dhe do ta bëj burgun ku të dua këta. .. Jam i dënuari i parë politik në 34 vite dhe do ta bëj fushatën nga burgu.” Deklaroi dje Salianji pas vendimit për mediat. Vendimi u dha nga trupi gjykues i Gjykatës së Apelit i përbërë nga: Genti Shala, Elona Toro, e Iliba Bezati. Me këtë vendim Salianji preket dhe nga ligji i Dekriminalizimit. KQZ i heq mandatin aktual dhe e ndalon të jetë në listën e deputetëve jo vetëm në zgjedhjet parlamentare të 2025, por dhe ato të 2029. Ndërkohë Apeli konfirmoi dënimin me 3 vjet dhe 5 muaj burgim edhe për Albert Veliun, personin që pranoi se ka kyer përgjimin. 2 vjet burg për Fredi Alizotin, i cili rezultoi të ishte njeriu që ishte hequr si Geron Xhafaj, vëllai i ish ministrit, në bisedën me Veliun. Ndërsa gazetari Jetmir Olldashi, i cili i kishte dhënë Veliut pajisjen përgjuese, u dënua me 100 orë pune në shërbim publik.

Salianji në gjykatë shkoi me grupin e deputetëve

Ndërkohë pamjet e turpshme të pak ditëve më parë u përsëritën sërish dje në Gjykatën e Apelit. Deputeti demokrat u paraqit në gjykatë me 17 deputetë të grupit parlamentar të PD-së: Luciano Boçi, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Xhelal Mziu, Bledion Nallbati, Helidon Bushati, Asllan Dogjani, Dhurata Çupi, Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Oerd Bylykbashi, Ferdinand Xhaferri, Edi Paloka, Dashamir Shehi, Lefter Gështenja, Zheni Gjergji, Ludovik Hasani.

Skeda/ Dosja “Babale”: Inskenimi i audiopërgjimit me stilolaps që implikoi vëllanë e Fatmir Xhafës

Ndërkaq kujtojmë se skandali i inskenimit të “Babales” doli në dritë më 14 Maj të vitit 2018 nga selia e PD-së në Tiranë, në një konferencë për shtyp ku dolën Ervin Salianji, Enkelejd Alibej dhe Gazment Bardhi, duke denoncuar atë që e quajtën “audio-përgjim ku implikohej në trafik droge Geron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj”. Përgjimet me stilolaps pretendoheshin se ishin bërë nga Albert Veliu (Babalja), kunati i tij Alfred Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi, në prill të atij viti, në një lokal në Vlorë. Prokuroria Tiranë dhe Gjykata e shkallës së parë konkluduan se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit. Më 19 dhjetor 2019, Gjykata e Tiranës dënoi me 1 vit burg deputetin e PD-së Ervin Salianji, si dhe dënoi me 3 vjet dhe 5 muaj burgim dhe Albert Veliun, personin që pranoi se ka krye përgjimin. Dy vjet burgim u dhanë për Fredi Alizotin, i cili rezultoi të ishte njeriu që ishte hequr si Geron Xhafaj, vëllai i ish ministrit, në bisedën me Veliun. Ndërsa gazetari Jetmir Olldashi, i cili i kishte dhënë Veliut pajisjen përgjuese, u dënua me 6 muaj burg, por që iu konvertua në 100 orë pune në shërbim publik. Në 26 shtator 2024, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës duke e dënuar Salianjin me 1 vit burg.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related