Kryeministri Edi Rama deklaroi në fund të muajit Shkurt se nga lista e gjatë e ministrave ndër vite vetëm dy prej tyre janë të dënuar nga drejtësia.
“Në tre mandate kanë qenë rreth ose 60 ministra, numërojini pak. Dy ministra janë dënuar nga mandati i parë, njëri i Partisë Socialiste, njëri i aleatit strategjik ndjesë pastë partia aleate strategjike, pastaj një i tretë në paraburgim sot e gjithë ditën por i padënuar ende që prezumohet i pafajshëm sipas drejtësisë europiane dhe një i katërt në arrati, zëvendës kryeministri. 4, ok?”, është shprehur Rama në rubrikën “sy me sy”. Kjo ishte e para, por jo e fundit deklaratë e Ramës për korrupsionin dhe hetimet ndaj anëtarëve të qeverisë së tij.
Edhe në takimin e fundit me diasporën në Milano, Rama është përpjekur të relativizojë perceptimin e përcjellë nga opozita se “gjysma e qeverisë është në burg”, duke ofruar më shumë një kornizë statistikore. Në takimin me diasporën, Rama tha me pak fjalë se hetimet ndër vite janë arsye për krenari dhe jo për turp, pasi janë rezultat i një drejtësie të pavarur.
Arsyeja
Politologu Ilir Kalemaj thotë për Faktoje.al se, “deklarata e Ramës që kërkon të shfajësohet duke bërë spin-in e zakonshëm, për të justifikuar akuzat e shumëfishta ndaj anëtarëve të tij të kabinetit, janë thjesht për efekt elektoral por nuk dihet çfarë efektshmërie mund të kenë”.
