Në fillim erdhën për socialistët, por unë nuk fola,
sepse nuk isha socialist.
Më pas erdhën për sindikalistët, sërish nuk fola,
sepse nuk isha sindikalist.
Erdhën për hebrenjtë dhe unë sërish nuk fola,
Sepse nuk isha hebre.
Më pas erdhën për mua
Askush nuk kishte mbetur për të folur për mua
Martin Niemoller
Memoriali i Holokaustit, Boston
Thonë që vëllai i tij u betua në varreza se do të hakmerrej ndaj kujtdo që ndikoi për dërgimin pas hekurave të vëllait të vogël.
Si në një histori mistike, Xhafaj e përqëndroi urrejtjen e tij ndaj deputetit opozitar, Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi, të cilët i konsideronte si dy përgjegjësit kryesorë për burgosjen e të vëllait.
Gazetari Olldashi, në funksion të një emisioni investigativ, kishte siguruar një audio-regjistrim, në të cilin besohej se Agron (Geron) Xhafaj, megjithëse në kërkim nga Italia, bisedonte sërish për trafik droge me një vlonjat tjetër, Albert Veliu (Babalja).
Ky audio-regjistrim publikohet nga Salianji, në selinë e Partisë Demokratike, në maj 2018. Pas denoncimit publik, Agron (Geron) Xhafaj bën një kallëzim ndaj Salianjit e Olldashit në Prokurorinë e Tiranës dhe niset “pako postale” drejt Italisë për të vuajtur dënimin me burgim si trafikant.
Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda, e cila në atë kohë drejtohej nga Donika Prela, nis hetim kryesisht (pa kallëzim) për trafik narkotikësh.
Të dhënat e mëvonshme treguan se, pavarësisht se hetimi nisi për Geron Xhafaj, dy prokurorët e çështjes, Gentian Osmani dhe Përparim Kulluri, mbajtën në përgjim e vëzhgim Salianjin, Olldashin dhe rrethin e tyre.
Nga ana tjetër, drejtuesit e lartë policorë, përfshirë ish-drejtorin e përgjithshëm Ard Veliu dhe shefat e Policisë së Fierit, Albert Nushi e Andon Marko, sajuan një dëshmitar të rremë, Fredi Alizoti, që të pranonte se ai kishte luajtur rolin e Agron (Geron Xhafaj) në audio-regjistrim.
Biseda të përgjuara nga Krimet e Rënda treguan se si shefat e mëdhenj të policisë silleshin si vasalë ndaj Alizotit, mbi të cilin kishte pasur pesë dënime penale. Madje, po këta shefa kujdeseshin që t’i paguanin Alizotit shpenzime të ndryshme, vetëm e vetëm që ky të pranonte kudo se ishte “aktori” që kishte luajtur personazhin Geron në audio-regjistrim.
E gjithë historia në vijim është një trillim i pastër dhe i qartë i drejtësisë, ku prokurorë e gjyqtarë, në prokuroria e gjykatën e shkallës së parë dhe në Apel, u rreshtuan të gjithë në krah të “babait” të Reformës në Drejtësi, i cili u ankua se Salianji dhe Olldashi i prishën imazhin Geron-trafikantit.
