Gjykata e apelit të Tiranës ka forcuar bindjen e të gjithë atyre që besojnë se drejtësia e re është e vetmja kënetë që vijon të jetojë në një kohë, që pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare e ka hedhur pas krahëve: atë të dënimeve politike. Ajo ka dhënë verdiktin me 1 vit burg për deputetetin e opozitës, Ervin Salianji. Për kë nuk e mban mend ngjarjen, akuza ndaj tij është se publikoi një përgjim ku implikohej vëllai i ish ministrit të brendshëm Xhafa, Agroni, se jo vetëm i fshihej një dënimi të mëparshëm në Itali, por edhe vazhdonte trafikun nën mbrojtjen e pushtetit.
Ngjarja që bëri bujë publikisht përmes nofkës së njërit prej protagonistëve të saj, “BABALE-s”, e tronditi imazhin e pushtetit që ende se kishte marrë veten nga skandali i Saimir Tahirit. Agron Xhafaj u detyrua që brenda natës të udhëtonte për t’u dorëzuar në Romë, madje pa i’u nënshtruar as provave të zërit, ndërsa Rama dhe ministri i tij i brendëshëm deklaruan, disa herë me radhë, se një agjensi e shquar inteligjence ka provuar se i ashtuquajturi përgjim është një manipulim.
Pra qeveria e mbështeti linjën e saj të mbrojtjes në pretendimin se përgjimi ishte një truk, i luajtur me aktorë, ndërsa, me stilin e vet humoristik, Rama e përqeshte Bashën se e pati kthyer selinë e PD-së në Kinostudio. Prova më e madhe për këtë ‘teatër” do të vinte nga ekspertiza ndërkombëtare…vunë bast ata.
Dhe pikërisht ky qe dështimi i tyre spektakolar. Kur prokuroria shqiptare i kërkoi një mendim, laboratori i specializuar i policisë italiane refuzoi të konfirmonte alibinë e Ramës dhe Xhafajt. Po kështu u soll edhe një nga institucionet më kredibël në kontinent, laboratori privat britanik, “JP French Associates”. Pra askush nuk qe në gjendje ndërkombëtarisht të çertifikonte pretendimet e kupolës qeveritare.
