“I paçit haram votat tona!” – Vlora shpërthen në revoltë, pesë ditë pa ujë qytetarët tentojnë të hyjnë në Bashki

Data

Revolta qytetare në Vlorë ka arritur pikën e vlimit. Prej pesë ditësh pa ujë të pijshëm, banorët kanë dalë sot në protestë para godinës së Bashkisë, me bidona bosh në duar, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme dhe takim me kryetaren e bashkisë.

Të indinjuar dhe të lodhur nga mungesa e një shërbimi jetik, qytetarët kanë tentuar të futen brenda godinës së Bashkisë, ndërsa thirrjet e tyre ishin të ashpra dhe plot revoltë:

“Duam ujë! Pa ujë nuk ka jetë! Ka pesë ditë pa ujë, fëmijët duan të lahen! I paçit haram votat tona!”

Sipas banorëve, situata është bërë e padurueshme, sidomos në ditë festash, pasi depozitat e ujit në banesa janë boshatisur dhe familjet nuk kanë as minimumin për higjienë.

Shkak për krizën është një defekt serioz në tubacionin kryesor të furnizimit, i cili ka lënë gjithë qytetin pa ujë. Qytetarët janë detyruar të mbushin ujë në burime natyrore ose të improvizojnë me mjete rrethanore, ndërsa spitali rajonal, spitali psikiatrik dhe institucionet e veçanta furnizohen me autobotë të zjarrfikëses.

Prej katër ditësh po punohet për riparimin e avarisë, por përpjekjet kanë dështuar. Dy ndërhyrje të mëparshme nuk kanë dhënë rezultat, pasi presioni i lartë i ujit ka shkaktuar çarje të reja në tubacion, duke e rikthyer qytetin sërish pa furnizim.

Kreu i Ujësjellësit të Vlorës, Ermal Murati, ka pranuar seriozitetin e situatës dhe ka kërkuar ndjesë publike:

“Avaria është shumë serioze. Kemi tentuar zgjidhje që fatkeqësisht kanë dhënë sërish probleme. Sot kemi ndryshuar mënyrën e ndërhyrjes dhe po punojmë për një zgjidhje alternative.”

Megjithatë, për qytetarët, premtimet nuk mjaftojnë më. Protesta pritet të vijojë, ndërsa zemërimi rritet përballë një krize që po i lë pa ujë në mes të dimrit dhe festave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related