Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se disa raketa mbrojtëse ajrore Patriot janë tashmë rrugës për në Ukrainë, një ditë pasi njoftoi një marrëveshje me vendet anëtare të NATO-s për të dërguar armë në Kiev. Shefi i Shtëpisë së Bardhë shënoi kështu një ndryshim thelbësor nga kundërshtimi i tij i mëparshëm për të dërguar furnizime me armë nga SHBA në frontin e luftës. “Ato (sistemet Patriot) po shkojnë nga Gjermania drejt Ukrainës”, u tha Trump gazetarëve pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, konfirmoi se dy sisteme mbrojtëse ajrore Patriot po përgatiten për t’u dërguar në Ukrainë.
Berlini do të mbulojë kostot e transferimit, megjithëse disa aspekte teknike, logjistike dhe financiare mbeten për t’u finalizuar. “Ato duken të zgjidhshme për të dyja palët, kështu që do të fillojmë punën menjëherë”, tha Pistorius pas një takimi me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth.
