Aktivistja e njohur, Evi Kokalari ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në disa reagime në rrjetin social “Facebook”, Znj.Kokalari kërkon postimin e Sali Berishës, si të vetmen mënyrë që opozita mund të fitojë në 2025. Ajo ka përmendur me emra dhe deputetët që po helmojnë demokratët që duhen spastruar nga partia. “Ka një mënyrë që opozita mund të fitojë në 2025, dhe kjo ndodh nëse Berisha bie dakord të spostohet. Disa nga ne, siç e kanë mbrojtur më parë, mund ta kishin bërë sërish, por të besosh Gaz Bardhit, Gjekmarkajt dhe Saljanit, që helmuan demokratët dhe ata që iu dolën në krah Berishës që ditën e parë, dhe të mbyllësh derën atyre që, përballë çdo logjike, iu dolën në krah në ditët më të zeza, flet qartë për mendësinë e Berishës dhe mënyrën se si e ka udhëhequr ai PD për 33 vjet.
Ja u garantoj, që i vetmi person që fiton kundër Ramës, jam unë, dhe kjo për shumë arsye, por kryesore është fakti që, edhe nëse Trump fiton apo jo, kam lidhjet e duhura për ta ekspozuar dhe luftuar Ramën siç duhet këtu në Amerikë, dhe pse ai ka blerë individë të rrethit të Trump. Ama, kjo fitore nuk arrihet pa pasur PD me vete. Berisha preferon ta mbajë PD peng dhe me elementët më të errët që ka pasur ajo parti, sesa ta çojë atë në fitore, për të mirën e gjithë shoqërisë shqiptare. Është fatkeqësi që një burrë shteti si Berisha të lërë në baltë një Shqipëri të tërë. Ngelet të presim 2029!”, shprehet Kokalari.
Pazari Rama-Berisha
Gjithashtu, aktivistja tregon detajet dhe nga pazari Rama-Berisha. “Për ata që janë skeptikë dhe cinikë që thashë se vetëm unë mund t’ia marrë Ramës pushtetin në 2025; dua t’ju shpjegoj sa më thjeshtë, që: nëse ju mendoni se zgjedhjet në Shqipëri janë punë votash, atëherë ju jeni shumë naivë. Zgjedhjet në Shqipëri kanë kaluar në një plan komplet tjetër, me ndikime shumë të fuqishme nga Amerika. Nëse votimet do të ishin punë votash, PD-ja do të kishte fituar në 2021. Kjo është e pamohueshme. Rama e futi në kthetrat Bashën me dosjen e FBI-së të nisur pikërisht nga McGonigal. Në rastin e sotëm, Rama ia ka vendosur të dy këmbët në një këpucë Berishës me blerjen që i bëri Jared Kushner dhe Ivanka Trump, dhe i vetmi person që mund të fitonte në këtë situatë, mbetem vetëm unë. Asnjë tjetër s’ka guximin dhe mundësinë të bëjë luftë, paqe apo negociata në këto nivele.
Berisha ka mbyllur gojën sepse ia kanë kërkuar ata nga të cilët shpreson se do t’i heqin non-gratën. Problemi për të gjithë këta mbetem unë, dhe targeti kryesor për mua mbetet Grenell. Mbas tij, Rama dhe Berisha do të ikin vetë; ama Berisha kishte shans ta merrte qeverinë në 2025 po të më kishte vendosur mua si mburojë dhe të më fajësonte mua për çdo gjë që kam ndërmend të bëj për të ekspozuar korrupsionin e këtyre në Ballkan, dhe fatkeqësisht, tani, bashkë me ta, mund të digjet dhe vetë. Një gjë është e sigurt dhe më është mbushur mendja plot: nëse Grenell merr një post nëse Trump fiton, Kosova dhe Shqipëria do të humbin shumë, dhe këtë nuk kam për t’ja lejuar. Nëse më duhet të përdor demokratët në Amerikë për ta ndaluar këtë pisllik, ashtu qoftë! Ama, mos kujtoni se zgjedhjet e 2025 janë realisht sa nga ju votojnë. Zgjedhjet i mbyll në pazar e sipër vetëm Berisha me Ramën, falë ndikimit që Jared dhe Ivanka kanë pasur në këtë aferë. Ja, kaq lehtë është të luhet me jetët tuaja”, shkruan ndër të tjera Kokalari.
Mesazhet
Nga ana tjetër, aktivistja tregon se si grabitet gara brenda Partisë Demokratike. Ajo e quan Këlliçin, një nga mostrat që duhet të largohet me urgjencë nga PD. “Kam ditë që debatoj me veten nëse duhet të publikoj disa mesazhe private që kam pasur me Gerti Bogdanin gjatë primareve të Bashkisë. Dikush afër meje më kishte kërkuar atëherë të takoja me të. Refuzova thjesht për princip, sepse lufta ime për Këshillin Kombëtar, Kryesinë dhe FRDP-në nuk ishte për të mbështetur një person të caktuar, por për të luftuar atë person që po merrte peng të gjithë garën duke vjedhur ashtu kandidatë të tjerë. Falë asaj lufte, Oert Bylykbashi është nën-kryetar i PD-së, dhe Kellici, i cili është në mënyrë absolute një nga monstrat që duhen pastruar nga PD-ja, nuk është. Por duke iu kthyer bisedës për Gert Bogdanin, primaret e bashkisë ishin koha që e kam njohur nëpërmjet komunikimit privat. Po ta kisha njohur më parë, shanset do ishin që ai të ishte ose pjesë e kryesisë, ose në një pozicion pranë Berishës, siç janë dy individë të tjerë që Kellici vetë kishte vendosur t’i linte jashtë çdo funksioni, ndonëse këta të dy kishin dhënë shumë për Kuvendin e Prillit 2022, duke sjellë një mbështetje fantastike nga deputetë të djathtë të Europës, përfshirë një letër përshëndetëse nga Giorgia Meloni.
