SPAK po bëhet gati të mbyllë hetimet ndaj Sali Berishës dhe siç bëhet me dije këtë të mërkurë në orën 12:00 ish kryeministri do të paraqitet pranë Prokurorisë së Posaçme, për t’i komunikuar akuzën për aferën Partizani.
Në të njëjtën kohë Berisha ka njoftuar se pranë godinës së SPAK do të ketë edhe mbështetës dhe militantë të Partisë Demokratike. Por deri më tani, në drejtorinë e Policisë së Tiranës nuk është paraqitur asnjë shkresë apo njoftim nga ana e strukturave të Partisë Demokratike në lidhje me protestën që pritet të mbahet në orën 12:00 përballë godinës së SPAK.
Prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Ish kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv Partizani, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.
Ndërkohë, Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, pasi ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Berisha.
Ditën e enjte, hetuesit kanë thirrur në SPAK edhe biznesmenin Fatmir Bektashi që dyshohet se ka bashkëpunuar me Malltezin për ndërtimin e kullave pranë ish-kompleksit Partizani.
