Përdoruesit e veturave elektrike në Kosovë pritet të mos paguajnë taksë të regjistrimit, meqë nuk e ndotin ambientin. Ky lehtësim është paraparë të përfshihet në Projektligjin për automjete, për ndryshimet e të cilit u vendos në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të datës 28 gusht.
Nëse importojnë vetura elektrike, shoferët “do të kenë zero taksa të regjistrimit”, thanë shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës (MMPHI) – institucion ky që është duke punuar në ndryshimet në projektligj.
Në deklaratën e dërguar me shkrim, nuk saktësohet se për cilat taksa bëhet fjalë e as sa mund të jetë vlera financiare e tyre. Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se në tre vjetët e fundit në Kosovë janë importuar 585 vetura elektrike
Automjetet elektrike lëvizin nga një ose më shumë motorë elektrikë, që përdorin vetëm energjinë e ruajtur në bateri. Viteve të fundit, jo rrallëherë në Prishtinë has në kësi lloj veturash.
Ato i përdorin kryesisht kompanitë e taksive dhe bizneseve të tjera private. Për afaristët dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, masat lehtësuese të paralajmëruara nga Qeveria, janë të pamjaftueshme. Sipas tyre, taksat e regjistrimit të veturave elektrike sillen nga 75 deri në 105 euro.
Aktualisht, importi i automjeteve elektrike është i njëjtë me importin e veturave me karburante të naftës apo benzinës. Nëse importohet një veturë qoftë me djegie të brendshme apo elektrike, duhet të paguajë doganë prej 10% të vlerës së makinës, si dhe tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) që është 18% e vlerës së produktit.
E, në rastet ku importohen vetura të përdorura, qoftë elektrike apo me naftë e benzinë, atyre u shtohet edhe taksa e akcizës, e cila zbatohet për produktet që nuk janë esenciale për jetesën e qytetarëve.
Në Doganën e Kosovës thonë se për veturat deri në tetë vjet të vjetra, duhet paguar 400 euro për copë; deri në nëntë vjet – 600 euro dhe deri në dhjetë vjet – 700 euro.
Pronarët duhet të paguajnë edhe taksat administrative, rrugore, ekologjike dhe komunale në Qendrat për Automjete, që funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
MPB-ja nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa kushtojnë këto taksa. Pronari i një kompanie të sigurimeve, që kryen procedurat e regjistrimit të automjeteve për qytetarë, tregon për Radion Evropa e Lirë se “këto taksa kushtojnë 75 euro – plus tri euro shërbime bankare”.
E, nëse vetura regjistrohet për herë të parë në Kosovë, 20 euro duhet paguar për targa dhe 10 euro për librezën e veturës. Fidan Hallaqi, pronar i kompanisë së taksive, ETAXI, e cila operon me disa vetura elektrike, thotë se këto taksa nuk janë ndonjë barrë e madhe.
Sipas tij, blerja e veturave elektrike do të bëhej e leverdishme nëse do të hiqeshin taksa doganore dhe TVSH-ja. Hallaqi, i cili në vitin 2021 ka blerë 20 vetura elektrike për kompaninë e tij, thotë se do të shtonte numrin e tyre po të kishte lehtësira të tilla doganore.
“Mbi 280 mijë euro kam paguar vetëm taksë doganore dhe TVSH për 20 vetura. Kjo shumë është e lartë”, thotë ai.
“Këto vetura nuk lirojnë as gaz e as grimca në ajër gjatë lëvizjes dhe për këtë duhet të subvencionohen dhe jo të pengohen”, shton Hallaqi.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ndan mendim të ngjashëm.
“Kur qytetari blen një veturë mbi 20 mijë euro, e cila ruan ambientin”, heqja vetëm e taksës së regjistrimit “është qesharake”, sipas tij.
OEK, thotë ai, kërkon nga Qeveria e Kosovës që për veturat elektrike të hiqet taksa doganore dhe TVSH-ja, ose TVSH-ja të mos paguhet 18 për qind, por 8 për qind.
“Në këtë mënyrë do të stimuloheshin edhe qytetarët, edhe kompanitë private që të investonin në makina elektrike, rrjedhimisht në ruajtje të ambientit”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Në Koncept-dokumentin për fushën e automjeteve, të publikuar vitin e kaluar nga Ministria e Infrastrukturës, thuhet se favorizimi i makinave elektrike me zero taksa për regjistrim “ndikon në mbrojtjen e mjedisit dhe cilësisë së ajrit”
Në Strategjinë për Energjinë, ndërkaq, thuhet se deri në vitin 2031 pritet që numri i veturave elektrike në Kosovë të mbërrijë rreth 15.000. Ambientalistët thonë se transporti rrugor është një nga burimet më të mëdha të ndotjes së ajrit në Kosovë
