Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Moska pret mbërritjen e negociatorëve amerikanë për të vijuar bisedimet mbi luftën në Ukrainë, sapo të ulen tensionet që lidhen me krizën mes SHBA-së dhe Iranit.
Në një intervistë të publikuar nga Kremlini, Putin tha se Rusia mbetet e gatshme të vazhdojë dialogun me Uashingtonin.
“Ne presim, sapo të përfundojnë zhvillimet dhe faza më intensive e krizës që lidhet me dosjen iraniane, mbërritjen e përfaqësuesve të qeverisë amerikane, me të cilët jemi takuar tashmë në Moskë,” u shpreh presidenti rus.
Ai shtoi se Moska është e hapur për të vijuar negociatat dhe diskutimet mbi të gjitha aspektet e konfliktit në Ukrainë.
Deklaratat e Putinit vijnë pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump gjatë samitit të G7, ku ai u shpreh se Rusia duhet të arrijë një marrëveshje me Ukrainën për t’i dhënë fund luftës, duke paralajmëruar se në të kundërt Shtetet e Bashkuara mund të rikthejnë sanksionet e pezulluara ndaj Moskës.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi javën e kaluar se administrata Trump ka hequr dorë nga roli i një ndërmjetësi të paanshëm dhe ka zgjedhur, sipas tij, rrugën e rritjes së presionit dhe sanksioneve ndaj Rusisë.
Lufta në Ukrainë vijon që prej shkurtit të vitit 2022, ndërsa përpjekjet diplomatike për një armëpushim apo marrëveshje paqeje nuk kanë prodhuar ende rezultate konkrete.
