Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim dy biznesmenët Elton Musta dhe Agron Hysa, si dhe dy shoqëritë “Sulova Ndërtim Prodhim” dhe “Vëllezërit Hysa”, të cilët akuzohen për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e zhvilluara nga organi i akuzës ka rezultuar se shoqëria “Sulova Ndërtim” nuk ka qenë gjë tjetër veçse një krijesë e shoqërisë “Vëllezërit Hysa” e cila përdorej nga kjo e fundit për qëllime të pjesëmarrjes në procedura prokurimi jo në emrin e saj por në emër të shoqërisë “Sulova Ndërtim Prodhim”.
“Shtetasit Elton Musta dhe Agron Hysa dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, pasi ata kanë paraqitur në procedurën e prokurimit të dhëna të rreme në lidhje me pjesëmarrësit dhe përfituesit e vërtetë të kësaj procedure prokurimi. Hetimi tregoi se paraqitja e shoqërisë “Sulova” apo edhe “IRCOP” dega Shqipëri, në procedura prokurimi është thjesht një veprim formal pasi në të vërtetë pas tyre fshihej shoqëria “Vëllezërit Hysa”.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit E.M., A.H. dhe shoqëritë “Sulova Ndërtim Prodhim” dhe “Vëllezërit Hysa” për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
