Në fjalën e tij të gjatë në Asamblenë e PS ku u mundua të argumentojë se Shqipëria nuk është një diktaturë ku parti në pushtet blen votat, Edi Rama bëri edhe një parashikim për 2025, ku kërkoi fitore të zgjedhjeve si në 1997. “Mbajeni mend sot këtë fjalë, unë nuk shoh filxhan dhe nuk parashikoj të ardhme, por dimë të lexojmë mendjen e popullit, jo vetëm se kemi patronazhistët, por kemi një strukturë shkencore të kolauduar që bën anketimet e përmuajshme të opinioneve të njerëzve. Në zgjedhjet e ardhshme PD zor se do të marrë më shumë mandate se ne 1997, mbajeni shënim. I vetmi ndryshim është se atëherë e gjithë Shqipëria ishte në humnerën ku ra ajo parti, ndërsa këtë herë humnera është destinacion ekskluziv i vetëm asaj partie. Një destinacion i zgjedhur me vullnet të lirë për udhëheqësve udhëprerë të saj”, tha Rama. Po të shohësh shifrat e vitit të mbrapshtë ’97 ku u zhvilluan zgjedhje nën zgjedhën e bandave të armatosura dhe me depot e municioneve të shpërthyera Partia Demokratike mori gjithsej 25 deputetë (17 mazhoritar dhe 8 proporcional me ligjin e atëhershëm). Ky rezultat që i dha PS më shumë se 115 deputetë krijoi mundësinë e ndryshimeve të thella kushtetuese dhe të krejt arkitekturës së shtetit. Me këtë deklaratë, Rama kërkon që të shtrijë rrënjët e pushtetit të tij në çdo cep dhe synimin kryesor ku ende ku nuk i ka futur duart është SPAK. Dje ai kërcënoi hapur Reformën në Drejtësi, madje duke i bërë dhe ftesë Sali Berishës që t’i bashkohet për të masakruar organin e pavarur dhe të mbrojtur nga SHBA që po iu nxjerr ujin e zi. Me Berishën ose pa Berishën, Rama me mandatet që po kërkon po përgatit terrenin për ndryshime kushteuese dhe në ligjet e reformës në drejtësi, duke synuar se në kuvendin e ardhshëm do të ketë aq vota sa të sigurojë ndryshimin e ligjeve që kërkojnë ⅔.
Rama kërcënon SPAK
Rama e bëri të qartë nga asambleja se plani i tij për të shkatërruar Reformën në Drejtësi dhe kapur Prokurorinë e Posaçme (SPAK), përmes Komisionit të Posaçëm Anti-Korrupsion, do të shkojë deri në fund. Rama tha se ai projekt do të vijojë me çdo kusht, pavarësisht nëse opozita e Berishës merr ose jo pjesë. “E vërteta e atij projekti nisi pavarësisht të gjithë rezistencës të atyre që se kanë idenë as të shtetbërjes europiane e as të procesit të negociatave në BE. Ky projekt do të shkoj deri në fund në drejtimin e kolegut Fatmir Xhafaj, pavarësisht nëse do të duan apo jo ata që deri tani nuk duan. Sot ata që thonë nuk bëhet Shqipëria janë më pak, sesa kori i atyre që e përsërisnin këtë deri 10 vite më parë, prandaj është edhe për të qeshur se për të qarë nuk qajmë dot për ta kur të nxjerrim një ekip drejtues për zgjedhjet”, tha ai. Kujtojmë se ky
Mesazhi
Në Asamblenë e PS në Durrës, Rama tha gjithashtu se PS sot ka më shumë se kurrë nevojë për një skuadër të re, ndërsa foli edhe për qeverisjen duke thënë se e nxorën PS nga gropa e 11 vite më parë. “Ambicia për ta përmirësuar, përgatitjet nisura shumë herët për zgjedhjet me organizimin dhe ripërtëritjen e organizatat e PS, na janë kthyer në fitore edhe më domethënëse në vijim. Fitorja nuk i takon atij që vetëm e do, por atij që e do aq shumë sa është gati të bëjë gjithçka për ta marrë. Ne kemi fituar sa askush tjetër më parë dhe si asnjë parti tjetër shqiptare sepse nuk na ka mjaftuar asnjëherë PS siç është pas një fitore por jemi përpjekur të bëjmë gati PS që na duhet për fitoren e radhës. Eksperienca jonë është e madhe. Por më të madhe se eksperiencën ne kemi sot nevojën për forcën për ta ndryshuar më shumë se asnjëherë më parë skuadrën që do bëjmë gati për fitoren e mandatit të 4. Sot ka ardhur koha e natyrshme që një brez më i ri se ky që ka përfaqësuar PS e këtyre 10 viteve të ketë më shumë vend në përfaqësimin e PS së 4 viteve të ardhshme. Asnjë forcë e vjetër apo e re nuk e ka asgjëkund të krahasueshme mundësinë e vet. Me fuqinë e PS për të qenë partia më e vjetër dhe më e re e Shqipërisë pluraliste. Kush mendon ndryshe shikon një film në errësirën e kinemasë dhe mllefit politik. Por ai film mbaron sapo ndizen dritat e këtij realiteti të këtij vendi me gjithë ato sfida i cili pa PS në qeveri mund të kthehet vetëm në errësirën e filmit që shqiptarët panë deri kur ne e nxorëm Shqipërinë nga gropa e 11 viteve më parë. Ky është fakt për të gjithë ata që kanë interes për faktet. Shtetbërja nuk është lojë fjalësh, as garë se kush shan akuzon apo premton më shumë pa pasur asgjë në dorë për të kapur pushtetin, por është një e përpjetë ku ngjitet vetëm kush e ka vizonin dhe rezistencën për të mos u dorëzuar, të cilat vetëm rriten në ngjitjen drejt majës”, tha Rama.
