Parku Kombëtar Divjakë–Karavasta është shndërruar në një nga destinacionet më të rëndësishme për turizmin e vrojtimit të shpendëve në Shqipëri, ku flamingot ofrojnë një spektakël të rrallë natyror.
Këta zogj elegantë, me qafë të harkuar dhe këmbë të gjata, zgjedhin ujërat e cekëta dhe të kripura të lagunës për t’u ushqyer dhe pushuar gjatë migrimit. Zona konsiderohet një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët ujorë në Mesdhe, duke strehuar mbi 20 mijë shpendë dimërues çdo vit.
Laguna njihet gjithashtu për koloninë e pelikanit kaçurrel, e vetmja pikë folenizimi bregdetar në vend. Ndalimi i gjuetisë dhe masat mbrojtëse kanë ndikuar në rritjen e dukshme të popullatës së flamingove dhe specieve të tjera.
Divjakë–Karavastaja mbetet një nga thesaret më të çmuara të biodiversitetit shqiptar.
