6 shkolla të ciklit fillor dhe 18 klasa në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar në qarkun e Korçës janë mbyllur si pasojë e mungesës së nxënësve.
Shkollat e fshatrave Kodras në Kolonjë, Kapshticë në Devoll si dhe Mjaltas, Desmirë, Zvarisht dhe Osojë në Bashkinë e Maliqit nuk do të hapin dyert këtë fillim viti shkollor.
Ulja e lindshmërisë por edhe emigrcioni masiv i viteve të fundit janë reflektuar në numër të pamjaftueshëm nxënësish për të mbajtur hapur klasat kryesisht në shkollat e fshatrave të bashkisë Maliq dhe disa në Korçë.
Sipas kreut të Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Korçë Leonard Trebicka efektet e uljes së numrit të popullsisë prej disa vitesh ndjehen në sistemin arsimor por aktualisht Shqipëria ka humbur thuajse 1/3 e nxënësve.
“Shifrat janë shumë të ulëta,të paktën ju i keni shifrat zyrtare por po them që në gjithë Shqipërinë pothuaj mungojnë 30% e nxënësve,pra 1/3 më pak. Është një shifër shumë alarmante dhe e pritshme pasi kjo gjë nuk ka ndodhur sot, ka vite dhe vite, pasojat janë sot por do të jenë edhe në vitet pasardhëse, akoma më shumë do të ndihet mungesa e nxënësve.
