Oligarku Samir Mane, një personazh që e quan veten biznesmen të madh, vazhdon të privilegjohet nga pushteti politik, me qëllim që të shërbejë si kanal për të kaluar një pjesë të madhe të parave dhe pasurisë publike, domethënë atë që iu përket të gjithë shqiptarëve tek kryeministri Edi Rama. Në këtë proces ai pasurohet, duke u privilegjuar nga pushteti politik me ndërtimin e gjithëfarlloj skemave për t’ i vjedhur shqiptarët, si koncesione, ndërtime në zona turistike, investime në tregti e shërbime që kreditohen nga Bashkimi Europian, si dhe me një numër të madh ligjesh që në fakt janë privilegje në dobi të tyre dhe padronit të tij Edi Rama, i shtohen bizneset.
I gjithë shteti në dispozicion të Samir Mane
Kryeministri Rama është kujdesur që gjatë këtyre 11 viteve të vendosë shtetin në shërbim të bizneseve të Samir Manes, që në fund një pjesë e parave të shkojë në xhepin e tij. Qeveria ka punuar në prapaskenë që çdo dëshirë e tij të plotësohet dhe pronat e tij të shtoheshin. Samir Mane ka gllabëruar tenderë me vlera marramendëse, ka përfituar prona gjigante në zona të lakmueshme në bregdet, ka futur duart në pasuritë e Shqipërisë, madje është investitor strategjik me firmën e Ramës. Samir Mane është më i përkëdheluri nga ligjet e bëra apostafat nga kryeministri. Janë krijuar projekte në mënyrë që bizneset e tij të lulëzonin edhe më shumë. Më poshtë gazeta “SOT” po rendit të gjitha shërbimet e Edi Ramës ndaj Samir Manes. Në faktet që do të tregojmë fshihen skandale të mëdha. Rama fal pasuritë e shqiptarëve për interesat e Samir Manes dhe në fund ata pasurohen, ndërsa populli varfërohet.
Tuneli i Llogarasë
Po e nisim me aferën e tunelit të Llogarasë, dosje e cila ndodhet në tryezën e SPAK. I gjatë afro 6 km, tuneli nis nga Ura e Shën Elizës dhe përfundon te Ura e Palasës, duke kaluar përmes Qafës së Llogarasë. Ky është një nga projektet më të debatuara, për shkak të mungesës së konsultimit publik si dhe për shërbimin që pritet t‘i ofrojë realisht shqiptarëve. Jo vetëm kaq, por ky është tuneli më i kushtueshëm në Evropë. 65 mijë euro për frymë të cilën nuk e ndërton as shteti më i pasur në botë. Fillimisht ndërtimi iu dha me tender kompanisë që kërkoi më shumë para, në garën e hapur nga Ministria e Infrastrukturës. Një bashkim i dy kompanive turke, përfituan 170 milion dollarë për këtë projekt, teksa më herët u shpenzuan 7.5 milionë euro për studimin e fizibilitetit. Përveç se aty del se ka grabitje të madhe, ky tunel më shumë se shqiptarëve të varfër, do t‘i shërbejë oligarkut Samir Mane, për të dërguar në fshatin e tij turistik sa më shumë turistë. Në fund të majës së Llogarasë, pranë Urës së Palasës aty ku del edhe tuneli, Mane ka ndërtuar tashmë prej vitesh një seri vilash private. Fshati nuk quhet më Palasë, por fshati i Manes, pasi vilat po zgjerohen përgjatë vijës bregdetare. Një infrastrukturë e tillë i nevojitej mikut të Edi Ramës, i cili urdhëroi përfundimin e këtij ndërtimi në kohë rekord. Çfarë përfitimi do të ketë nga turizmi, kur në këto “fshatra turistikë” si ky i Samir Manes, Rama nuk rrit numrin e shtretërve por vazhdon të krijojë shtëpitë e dyta e të treta për vetën dhe miqtë e tij në qeveri. Mjafton të trokasësh në çdo vilë në këto zona dhe aty jetojnë të gjithë ministrat e qeverive të majta apo të djathta dhe shpura me deputetë që janë pasuruar nëpërmjet favoreve qeveritare.
Porti i Vlorës
Gjithashtu, Rama me firmën e tij i ka dhënë oligarkut Samir Mane benefite shumë të mëdha, duke përdorur ligjin kontravers të miratuar me debate në vitin 2015, i cili i lejon qeverisë, përmes një komiteti që drejtohet nga kryeministri, që mund t’i japë çdokujt status investitori strategjik, duke i falur tokë private dhe shtetërore, me kushtin e vetëm që të investojë mbi 5 milionë euro dhe të punësojë 80 shtetas. Kompanitë e Samir Manes kanë marrë disa statuse investitori strategjik. Janë 5 vendime që janë për kompanitë e Manes, si Green Coast, Green Coast 1 dhe 2, si dhe dy projekte në Gjirin e Lalzit, Neë Bord dhe ValaMare. Në të gjitha vendimet thuhet se pronësia e tokës është private dhe publike, si dhe janë vendosur nga shteti shqiptar për Samir Manen mijëra metra katrorë plazh në përdorim. Qeveria i transferoi kundrejt çmimit simbolik 57 mijë metra katrorë tokë në Gjirin e Vlorës oligarkut, pa përftime në dukje për publikun dhe shtetin, por kjo kontratë është e mbushur me favorizime për Mane dhe e blinduar në nenet e saj me gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit në rast konfliktesh. Rama nuk është ndalur me kaq. Qeveria në gusht i hapi rrugë betonizimit të “parajsës” për politikanët dhe vilave të tyre në Palasë ku vazhdon të ndërtojë Samir Mane duke betonizuar bregdetin shqiptar.
Dhuratat e Ramës për Samir Manen
Jo vetëm kaq, Edi Rama investoi paratë publike, pra të taksapaguesve shqiptarë në ndërtimin e një piste helikopterësh, një moli jahtesh, hangar për avion privat dhe shërbimesh të tjera mbështetëse pranë resortit luksoz “GreenCoast” në Palasë dhe sipas investigimit që ata bënë institucionet shtetërore bënë një sy qorr ndaj dëmtimit të monumentit të natyrës. Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), i drejtuar nga Rama, në mbledhjen e datës 28 Dhjetor 2022, miratoi vendimin për “Leje Ndërtimi për objektin: “Hangar për avion privat në Aeroportin “Nënë Tereza”, me vendndodhje në Bashkinë Krujë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Balfin-Balkan Finance Investment Group sh.p.k”. Kjo do të thotë se oligarku ka aq të ardhura sa t’i lejojë vetes edhe blerjen e një avioni privat. Por, për “parkimin” e avionit kërkohej një leje tejet specifike, të cilën mund ta jepte vetëm Edi Rama.
