Këshilli i Legjislacionit do të mblidhet sot për të diskutuar mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Vendimi u mor nga kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali pas kërkesave të opozitës.
Në mbledhjen e thirrur nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali do të shqyrtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e urdhëroi Kuvendin, t’i dërgojë kësaj gjykate mandatin e Olta Xhaçkës për të vendosur nëse është në konflikt interesi apo jo.
Thirrja e Këshillit të Legjislacionit pa përfunduar ende pushimet e verës për deputetët jashtë sesioni u bë pas kërkesës së grupit parlamentar të partisë Demokratike.
Deputetët e opozitës e cilësojnë si të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë, që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa në Gjykatën Kushtetuese dhe deputetët janë të detyruar ta dërgojnë atë sa më shpejt, tha Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë më 10 korrik 2024. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj.
Çështja “Xhaçka” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita e cila pretendon se deputetes socialiste duhet t’i hiqet mandati me argumentin e konfliktit të interesit, për shkak të statusit të investitorit që ka bashkëshorti i saj. Vetë socialistët kanë vendosur që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin, siç e cilëson ajo, për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.
- Bashkëshorti i Xhaçkës, Artan Gaçi shpallet ‘investitor strategjik’
Në mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli një vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Gjilekë të Himarës për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare. Në atë kohë, Olta Xhaçka mbante postin e ministres së Jashtme.
Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
