Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalë së mbajtur në tubimin e sotëm, ka hedhur akuza të forta ndaj gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjokës.
Berisha i drejtoi pyetje Irena Gjokës, nëse kjo e fundit a ka ndonjë bisedë me ish-deputetin socialist Alket Hysenin, në të cilën flitet për 500 mijë euro ryshfet për ta hequr nga klasifikimi si grup kriminal. Po ashtu, lideri demokrat e pyeti gjyqtaren Gjoka dhe nëse a ka ndonjë bisedë me Mirel Mërtirin, biznesmenin e shpallur në kërkin për aferën e inceneratorëve.
Sipas Berishës, kreu i SPAK, Altin Dumani ka fshehur regjistrimet që inkriminojnë këmbë e kokë Irena Gjokën. Kreu i opozitës tha se Dumani mbron një delikuente që i ka ryshfetet nga 500 deri në 1 milionë euro vetëm e vetëm për qëllime politike, me urdhër të Edi Ramës.
“Ne do të fitojmë, ne do të hedhim në koshin e plehrave të historisë Edi Ramën, organizatën kriminale të skrapit të tij. Narkogjykatës dhe narkoprokurorë të drejtësisë sorosiane që u privuan shqiptarëve drejtësinë që janë shndërruar në paterica kriminale të diktaturës ndaj shqiptarëve. Do ta mbyll, ti shtroj një pyetje gjykatëses bandite me tre mbiemra: A ke ti ndonjë bisedë me Alket Hysenin në të cilën flitet për 500 mijë euro ryshfet për ta hequr nga klasifikimi si grup kriminal. Apo e ke me Mirel Mërtirin? Me cilin prej këtyre të dyve e ke ti Irena me katër mbiemra, Irena me katër fytyra.
Nëse Irena është me katër fytyra, Altin Dumani është me pesë fytyra i pafytyrë. Altin Dumani ky mercenar që mbulon krimet e tij dhe vërtitet në skrap si prokurori amerikan. Ky horr pa moral fsheh regjistrimet që inkriminojnë këmbë e kokë Irena Gjokën. I gjithë skrapi ushton dhe i dinë regjistrimet. Mercenar Dumani që hiqet si prokurori amerikan, ky lake pa kushtetutë dhe moral, mendon se atë nuk e njohin, nuk e dinë çfarë fundërrine është me dhjetëra e dhjetëra punonjës në atë ndërtesë. Zbaton verbërisht urdhërat e Edi Ramës, mbron një delikuente që i ka ryshfetet nga 500 në 1 milionë vetëm e vetëm për qëllime politike, për urdhër të Edi Ramës. Qëndron në detyrë pa votat e kërkuara nga kushtetuta. E garantoj se do të ketë fatin e Edi Ramës, i lidhur dhe të jeni të sigurtë ju, se vërtetë Xhorxh Soros është një nga kapot e mafias më të rrezikshme të kohës, por Amerika është Amerikë dhe nuk përfaqësohet vetëm nga Soros. Dhe ata që përdorin, ata që përdorin Amerikën për mburojë, për të mbuluar krimet e tyre, do të marrin ndëshkimin që meritojnë në Shqipëri dhe në Amerikë dhe kudo.” – tha Berisha.
