Sipas Rrjetit të Veprimit të Bazelit (BAN), një organizatë botërore jo qeveritare e drejtësisë dhe shëndetit mjedisor, që lufton trafikun ndërkombëtar të paligjshëm të mbetjeve toksike, më 2 prill të këtij viti, Shqipëria dërgoi nga porti i Durrësit për në Kinë 115 kontenierë me mbetje toksike.
Kjo ngarkesë, e deklaruar si koncentrat i ulët dhe mineral zinku, u bllokua nga autoritetet kineze dhe mbahet ende e bllokuar në Portin e Nanshas, në qytetin Guangzhu në Kinë. Analizat e bëra nga autoritetet kineze provuan se kontenierët ishin të ngarkuar me mbetje të dala nga rafinimi hidrometalurgjik i metaleve jo hekur, që përmbanin nivele të larta të plumbit dhe ndotësve të tjerë, ndryshe nga sa deklarohej në dokumentat shoqëruese të eksportit.
Këto ditë, në Tajlandë janë drejtuar 100 kontenierë ( mbi 800 tonë)me mbetje toksike, të ardhura po nga Porti i Durrësit, të denoncuara po nga Rrjeti i Veprimit i Bazelit.
Këto fakte hedhin dyshime të forta se, tek ne, përmes Portit të Durrësit, është zhvilluar dhe po zhvillohet një aktivitet i mirëorganizuar dhe i mirëfilltë mafioz, me tregtinë e mbetjeve të rrezikshme, të paligjshme për t’u eksportuar.
Sekti Rama në pushtet, ia ka dalë të ngadalësojë dhe zvogëlojë aktivitetin përpunues dhe tregtar të mirëfilltë të Portit 2700 vjeçar të Durrësit, si dhe po zeron gradualisht rëndësinë e tij ekonomike. Dhe nuk mjaftohet me kaq, por po e shndërron Portin kombëtar të e Durrësit në një njollë të zezë në transportin evropian detar, si port burimor, për të transportuar drogë dhe për trafiqet e paligjshme të mallrave, duke përfshirë mbetjet toksike.
Me të drejtë, shumë qytetarë sot ngrejnë pyetjen: çfarë duhet të vazhdojë të bëjë ende Porti i Durrësit, që të quhet port i mafias dhe i mbetjeve të paligjshme toksike?
I. Porti i Durrësit, port pa kontrollet e duhura
Sipas vrojtimeve të shumë ekspertëve dhe organizatave ndërkombëtare, kontrolli i mallrave në portin e Durrësit lë shumë për të dëshiruar. Sidomos ndaj mallrave për eksport, ai aplikohet formal dhe është shumë i pakët.Rastet e sipërcituara janë prova flagrante e moskontrollit portual të mallrave.
II. Porti i Durrësit, siguria shumë e dobët
Organizata prestigjoze ndërkombëtare “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” ka publikuar një raport për rrugët ballkanike të trafikimit të lëndëve narkotike(https://globalinitiative.net/…/balkans-maritime-routes…/ .
Në raport flitet për trafikun ndërkombëtar të kokainës, i cili bëhet përmes rrugëve detare në Ballkan. Në kapitullin për Shqipërinë, përmendet Porti i Durrësit si port me risk të lartë në përdorimin e mundësive dhe rrugëve të trafikimit të kokainës. “Global Initiative” evidenton disa hallka të dobëta të sigurisë në Portin e Durrësit, që u japin mundësi trafikantëve për të transportuar kokainë, duke shfrytëzuar konteinerët që vijnë nga vende të ndryshme të botës, e specifikisht konteinerët me banane.
Sipas organizatës së njohur ndërkombëtare, siguria në port është larg së qënit garantuese. “Niveli i sigurisë është dukshëm më i ulët në rrugën prej 1 kilometër që ndan terminalin e konteinerëve me skanerin, ne krahasim me zonat e tjera portuale, megjithëse brenda perimetrit të portit. Kjo u jep mafiozeve kohë për të ndërhyrë në konteiner, përpara se ai të jetë kontrolluar”, cilësohet në raportin e “Global Initiative”.
Porti i Durrësit është kthyer në një pikë strategjike për grupet kriminale, për të trafikuar sasi të mëdha të lëndës narkotike kokainë, nga Amerika Latine drejt vendit tonë, me destinacion kryesor tranzitimin e saj në vendet e Bashkimit Evropian.
Raporti i “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar”vijon me konstatimin se “Që nga viti 2018 ka pasur sasi të konsiderueshme kokaine të sekuestruar në Portin e Durrësit. Sasia e madhe e kapjes së kokainës në këtë port tregon qartë se ky port është një pikë e rëndësishme për trafikun ndërkombëtar të drogës”.
III.Porti i Durresit ka rënë në volum dhe po humb përparësinë e tij strategjike
Me vendimin e zhvendosjes së Portit strategjik tregtar të Durrësit drejt Porto Romanos, për shkak të zbatimit të Projektit mafioz “Durrës Yachts & Marina” të një miliarderi arab, në dobi të oligarkëve të Ramës, aktiviteti i ngarkim-shkarkimit dhe në tërësi aktiviteti tregtar në port ka ardhur në rënie.
