Ja si po i priten duart politikës për të fituar zgjedhjet e 2025 në bashkëpunim me krimin, shërbimet e huaja sekrete “postojnë” në Tiranë kriminelët e lidhur me politikën
Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligjzbatuese po presin duart e politikës të lidhura me krimin. Operacionet më të forta të historisë nga drejtësia shqiptare për të fundosur personazhe të njohur të botës së krimit po bëhen vetëm disa muaj para zgjedhjeve të 2025, ku sa herë afrohet fushata “të fortët” përdoren nga politikanët për të grabitur, ushtruar presion dhe blerë vota me para të pista. Vetë Altin Dumani paralajmëroi në raportimin e tij të fundit në Kuvend se SPAK ka strategji të qarta për të zhdukur çdo krim zgjedhor. Goditjet e para kanë nisur dhe të parët që po e pësojnë janë kriminelët, të cilët kanë vijuar jetën e qetë prej shumë vitesh jashtë shtetit, pavarësisht krimeve të rënda që kanë kryer në Shqipëri. Madje edhe ata që jetojnë në Dubai, vend që është kthyer në një strehë për kriminelët dhe bosat shqiptarë, të cilët pavarësisht shpalljes në kërkim nga drejtësia, kanë vijuar të qetë jetën e tyre në vendin arab. Arsyet se përse këta persona kanë zgjedhur Dubain për të vazhduar jetën dhe “bizneset” e tyre janë të shumta, por kryesorja është mos ekstradimi. Emiratet e Bashkuara Arabe janë një ndër të vetmet vende në botë që nuk pranojnë marrëveshje ekstradimi për keqbërës të tillë.
Por situata ka ndryshuar. Sinjalet u dhanë dy ditë më parë, ku personat e shumëkërkuar Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj u sollën në Shqipëri nga Dubai, ku i fshiheshin drejtësisë shqiptare, falë bashkëpunimit të policisë shqiptare, SPAK-ut dhe partnerëve ndërkombëtarë. Dervishaj dhe Meçaj u shpallën në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi për ta masën “arrest në burg” për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale. Në fund të shkurtit 2005 Dervishaj dhe 3 persona të tjerë dyshohet se kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Klodian Saliu në Durrës. Ai dyshohet se një ditë pas kësaj vrasje bashkëpunoi me të paktën 3 persona të tjerë në vrasjen me eksplozivë të shtetasve Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi. Dervishaj është kunati i Lul Berishës, i dyshuar si një tjetër autor i vrasjes së Saliut në Durrës dhe tashmë i arrestuar jashtë vendit, për të cilin po ashtu është kërkuar kthimi në atdhe nga policia. Kujtojmë se Lul Berisha u ndihmua nga ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili lëshoi një raport pozitiv për drejtuesin e bandës së Durrësit. Dako madje garantoi edhe punësimin e Lulzim Berishës në Bashkinë e Durrësit. Ndërsa Meçaj dyshohet se në nëntor 2019 ishte një nga personat, që goditën me armë zjarri një automjet në autostradën Tiranë-Durrës, ku humbi jetën drejtuesi Andi Maloku, me të cilin udhëtonte prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho.
Paralajmërimi
Se do të ketë ekstradime të tjera paralajmëroi edhe Muhamet Rrumbullaku“Mesazhi i Policisë së Shtetit është i qartë: Nuk ka krim, pa ndëshkim. Autorët e veprave penale, kudo që të fshihen do të përballen me drejtësinë”, deklaroi dy ditë më parë për mediat drejtori i përgjithshëm i policisë, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku. Policia shqiptare bëri të ditur se në bashkëpunim me policinë gjermane është kapur me qëllim ekstradimi Fabio Ballabani, për të cilin Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar arrest me burg si i dyshuar për goditje ndaj pjesëtarëve të familjes së një personi, i cili kryen një detyrë shtetërore në sistemin e drejtësisë, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për kryerjen e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale. Vrasja e Lamajt dhe Arsit me lëndë eksplozive në një ashensor pallati 19 vjet më parë në qendër të Tiranës si dhe atentati ndaj ish prokurorit Ndoja në autostradën e Durrësit janë dy nga ngjarjet më të rënda, që kanë tronditur opinionin, për shkak edhe të cilësive të viktimave dhe të autorëve.
Personat që rrezikojnë të ekstradohen nga Dubai
Ndër emrat e kriminelëve dhe bosëve shqiptarë që rrezikojnë të ekstradohen nga Dubai mund të përmendim: Eldi Dizdari, një nga emrat më të përfolur të krimit në Shqipëri, që fshihet në Dubai. Ai është sot një nga personat më të shumëkërkuar në Evropë, madje në listën kryesore, të atyre që priten të marrin fluturimin e parë për t’u përballur me drejtësinë, kjo për shkak të lidhjeve të tij ndërkombëtare me trafikun e lëndëve të forta narkotike. I njohur ndryshe me emrin Denis Matoshi, Dizdari thuhet se ishte pjesë e organizatës së njohur si Kompania ‘Bello’, që drejtohet nga Dritan Rexhepi, që atëkohë ndodhej në një burg të sigurisë së lartë në Ekuador. Gjithashtu është edhe Endrit Dokle, ish i dënuari me burgim të përjetshëm si drejtues i njërit prej fraksioneve të bandës së Durrësit. Nga ana tjetër është edhe Durim Bami, një prej personave më të kërkuar nga autoritetet e vendit tonë, tashmë është lënë i lirë në Dubai, ndonëse Shqipëria kërkonte ekstradimin e tij. I ‘forti i Niklës’ u arrestua në Dubai më 12 qershor dhe u mbajt në paraburgim sipas periudhës së parashikuar nga autoritetet atje dhe tashmë Gjykata ka vendosur ta lërë të lirë. Ky i fundit thuhet se ka lidhje të forta me politikën, madje konsiderohet si personazh që nëse bëhet i penduar i drejtësisë mund të fundosë politikanë të lartë të korruptuar në Shqipëri për shkak të aferave që ka në dijeni. Këta kriminelë të shumëkërkuar nga drejtësia thuhet se kanë investuar në Emiratet e Bashkuara Arabe paratë e pista të krimit, duke blerë pasuri të paluajtshme, si edhe duke u bërë me kapitalin e tyre pjesë e rëndësishme e ekonomisë së vendit, një investim i sigurt. Ata i vazhdojnë takimet dhe punët e tyre deri në Shqipëri nga suitat luksoze të hoteleve dhe resorteve arabe, pavarësisht se ndodhen “në një burg të hapur luksoz”, nga ku e dine shumë mirë se dalja nga aty, dhe kthimi në vendet e krimit, mund të çojë në prangosjen e tyre.
