Banka e Shqipërisë e përfshirë në shkelje të rënda ligjore, ‘printoi para’ për blerjen e Hotel Dajtit dhe ndihmoi kompaninë e presidentit të Klubit të Futbollit Tirana të shmangte taksat, ja si e mori Gent Sejko makinën më të shtrenjtë në krahasim me krerët e shteteve në rajon dhe në Evropë, dalin për herë të parë detajet “bombë” nga raporti ‘konfidencial’ i KLSH
Shtatë vjet pas nisjes së punimeve për rikonstruksion dhe afro 1 dekadë e gjysmë pas blerjes së godinës ikonike të hotelit të famshëm “Dajti” në bulevardin qendror të Tiranës, Banka e Shqipërisë hapi dyert për të pritur punonjësit e saj në një ceremoni që kishte në fokus promovimin e turizimt. “Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në ambientet e reja të Bankës së Shqipërisë, dikur të njohura si Hotel Dajti,” tha guvernatori Gent Sejko, ndërsa i drejtohet kryeministrit Edi Rama gjatë përurimit të ndërtesës së rikonstruktuar. “Ky monument kulture, i cili i është kthyer tashmë thesarit të trashëgimisë tonë kulturore, u rikonstruktua me një vizion të qartë, atë të ruajtjes së vlerave dhe stilit arkitekturor të kohës,” shtoi Sejko, ndërsa pranoi se “projekti i rijetëzimit ishte sa impenjativ aq dhe shpërblyes”. Vetëkënaqësia e shprehur nga dy zyrtarët e lartë të shtetit për rikonstruksionin e ndërtesës mund të jetë e kuptueshme, duke llogaritur kohën e gjatë që projekti ka marrë. Rama e falënderoi Sejkon në atë kohë. Por një raport ‘konfidencial’ auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit i vitit 2017, i siguruar nga BIRN, tregon se falenderimet e dy zyrtarëve duhet t’u drejtoheshin qytetarëve, pasi ata kanë dhënë kontributin kryesor për blerjen dhe rikonstruksionin e godinës.
Raporti i KLSH
KLSH ka konstatuar në auditin e saj se Banka Qendrore ka printuar kartëmonedha për të blerë me 4 miliardë lekë [30 milion euro me kursin e kohës] në vitin 2010, godinën e rrënuar të hotelit dhe truallin përreth. Raporti sugjeron se dhe financimi i shpenzimeve për rikonstruksionin e godinës qendrore në sheshin “Skënderbej” është bazuar në emetimin e parave, pasi rezervat në llogari për këtë qëllim nuk kanë qenë të mjaftueshme. Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se i emetimi i parave nga Banka e Shqipërisë ka sjellë kosto shtesë për qytetarët nëpërmjet rritjes së inflacionit. Printimi i parave për investime në pasuri të patundshme nuk është i vetmi problem i identifikuar nga KLSH. Sipas raportit, Banka e Shqipërisë në një rast dyshohet se ka ndihmuar një kompani private të shmangë pagesën e detyrimeve tatimore dhe kredisë bankare. Raporti i auditit të KLSH-së shtrihet si në periudhën kur banka drejtohej nga ish-guvernatori Ardian Fullani, ashtu edhe gjatë periudhës së drejtuar nga guvernatori aktual, Gent Sejko. Emetimi i parasë i filluar gjatë periudhës që Fullani drejtonte bankën për blerjen e hotel Dajtit, dyshohet se mund të jetë vazhduar nga pasardhësi i tij Sejko për të financuar rikonstruksionin e godinës. Sejko gjithashtu akuzohet nga grupi i auditit i KLSH-së se pas marrjes së drejtimit të institucionit më të lartë financiar të vendit, u përfshi në një procedurë të dyshimtë prokurimi për blerjen e një makine luksoze ‘Range Rover’.
