Dje u arrestua një prej shumë të kërkuarve të operacionit ‘Plumbi i Artë2’. Burime bëjnë me dije se FAST Kosova në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) kanë arrestuar Arben Lamçjën. Këtij të fundit i janë vënë prangat në lagjen “Emshir” të Prishtinës. Lamçja është shpallur në kërkim për vrasje të kryera me pagesë, ku dyshohet se është përfshirë në pesë të tilla, të porositura nga vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja nga qyteti i Elbasanit. Sakaq raportohet se bashkë me Lamçën është arrestuar edhe një tjetër person.
Tashmë pritet që Lamçja të vijë në Shqipëri dhe të njihet me masën e sigurisë. “Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të madh në lagjen “Emshir” në Prishtinë, ku target ishte një person i kërkuar nga autoritetet e Shqipërisë. I njëjti është njëri nga emrat në listën e gjatë të rastit “Plumbi i artë 2”, raportojnë mediat në Kosovë. Operacioni “Plumbi i Artë” është bërë shkak për zbardhjen e 6 vrasjeve të ndodhura vitet e fundit në Shqipëri. GJKKO me kërkesë të SPAK, falë këtij operacioni, ka lëshuar një urdhër-arrest për 30 persona, në mesin e të cilëve ishte edhe Lamçja i cili akuzohet për vrasje me pagesë.
“FAST Albania kap dhe arreston në Prishtinë shtetasin A. L., në kuadër të operacionit “Gordonët”/ Në sajë të një pune të mirëfilltë profesionale, sot më datë 04.08.2024, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia Fast Albania, në bashkëpunim të ngushtë me FAST Kosova, në vijim të shkëmbimeve të informacioneve, në kuadër të operacionit policor “GORDONËT”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në Prishtinë, i shtetasit A. L., lindur e banues në Elbasan.
Ndaj shtetasit A.L., Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë më datë 29.07.2024, ka caktuar masën e sigurimit, “Arrest me burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e organizatës kriminale”, “Grupi i strukturuar Kriminal”, “Organizata kriminale” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet 80-28/1-333 dhe 334-287 të Kodit Penal”, njoftoi policia.
Detajet
Për Arben Lamçen u lëshuar një urdhër arresti nga SPAK në kuadër të vijimit të mega-operacionit Plumbi i Artë 2, që u krye prej SPAK, BKH, policisë së shtetit dhe strukturave policore në Belgjikë, Holandë dhe Francë. Mes emrave të 36 urdhër-arresteve ishte dhe ai i Arben Lamçes, i cili ndodhej në Prishtinë. Tashmë pritet që Lamçja të vijë në Shqipëri dhe të njihet me masën e sigurisë. Operacioni Plumbi i Artë zbardhi 3 vrasje me 6 viktima, të ndodhura në Shqipëri në vitet 2021. Lamçja njihet si pjesëtar i grupit kriminal Çopja në Elbasan. Më 31 korrik të këtij viti me kërkesë të SPAK, GJKKO lëshoi 33 urdhërarreste, për grupin e vëllezërve Franc e Hajdar Çopja, që ndodhen jashtë dhe janë ende në kërkim.
Kush është Arben Lamçe?
Lamçe ka qenë i dënuar me 14 vite burg në Itali, për akuzat e shfrytëzimit të prostitucionit. Si rezultat i ligjit Antimafia në 2016 atij ju sekuestruan disa prona dhe lokalet në Tiranë e Elbasan. Ai ishte arrestuar në Elbasan dhe ekstraduar në vitin 2011, në Itali, ku kërkohej për të vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata e Breshias. Në 2003, Lamçe u arrestuar pas gati një vit shpallje në kërkim si një nga organizatorët e trafikut klandestin nëpërmjet detit. Arben Lamçe i kishte shpëtuar urdhrit të arrestit të dalë nga Prokuroria e Vlorës dhe kishte arritur të ndërronte edhe emrin në gjendjen civile, por pas një viti kishte rënë në prangat e policisë pas një operacioni blic në orët e natës.
