Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), policia dhe prokurorët e SPAK kanë mësyrë dje në banesat e Ilir Beqajt. Ish-ministri ndodhet në qeli për abuzime me fondet e BE, teksa është nën hetim edhe për koncesionet në shëndetësi. Mësohet se rreth orës 15:30, agjentë të BKH, prokurorë specialë, forca të policisë së Vlorës dhe forcat zjarrfikëse kanë hapur me forcë derën e apartamentit në pronësi të ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj që ndodhet në paraburgim prej 4 korrikut, pasi po hetohet nën dyshimet për një skemë korrupsioni me fondet e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj (SASPAC) gjatë kohës që ai e drejtonte. Banesa e Beqajt ndodhej në katin e 7-të të një pallati në zonën e Lungomares në Vlorë. Kontrolli ka zgjatur për më shumë se dy orë, ndërsa apartamentit i është vënë shiriti “vendngjarje mos kalo”.
Reagon avokati i Beqajt
Lidhur me kontrollin, ka reaguar dje edhe avokati i ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ermal Yzeiraj, i cili tregoi se ishte kontaktuar në telefon nga oficerët e SPAK në orën 14:00 të ishte prezent gjatë këtij kontrolli dhe tu vinte në dispozicion çelësin, në të kundërt do të shpërthenin derën. Avokati thotë se klienti i tij nuk kishte asnjë apartament në pronësi në Vlorë dhe banesa që i referoheshin ishte marrë me qira sipas një kontrate të vitit 2020 dhe nuk kishte sens logjik të bëhej kontrolli.
“Përgjigja ime ishte që nëse bëhet fjalë për shtëpinë që z. Beqaj ka patur me qira dhe që e ka deklaruar dhe në ILDKPKI, kjo kontratë qiraje e 2020 ka kohë që nuk është më në fuqi dhe z. Ilir Beqaj ka kohë që nuk e përdor më këtë shtëpi me qira, prandaj unë si avokat nuk kisha përse të nisesha nga Tirana për në Vlorë për të marrë pjesë në kontrollin e një banesë që ishte në pronësi dhe në përdorim të dikujt tjetër dhe madje një kërkesë e tillë ishte dhe tërësisht e paligjshme. Z. Ilir Beqaj nuk është as qiramarrës dhe as posedues i këtij apartamenti. Madje nuk ka sens logjik që z. Beqaj të jetë përdorues i këtij apartamenti kur të gjithë e dinë që z. Ilir Beqaj është tashmë në ambientet e paraburgimit”, shkroi dje avokati në rrjetet sociale.
Për avokatin kontrolli është një tentativë e dëshpëruar (në nivelet e një fiksimi) për të gjetur me çdo kusht një arsye që z. Ilir Beqaj të mbahet në burg. Ai i kërkon GJKKO-së të reflektojë dhe të ndryshojë masën e sigurisë për Beqajn, ndonëse në dy apelime që kanë bërë si GJKKO dhe Apeli i GJKKO-së nuk ka pranuar të ndryshojë masën e sigurisë, as dhe kur ka ofruar garanci pasurore.
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se ndaj Beqajt SPAK ka ngritur akuzat për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” “Mashtrim” si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues i SASPAC, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij. Mes 8 prokurimeve fiktive të zbuluara, SPAK evidenton pikërisht një të lidhur me “Landëays International”.
SASPAC i dha 125 mijë € kompanisë së biznesmenit Gazmend Haxhia për organizimin e një konference turizmi “Festa”. Por për të njëjtin event, dhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 mln lekë të reja. Pra gjithsej për të njëjtin aktivitet u paguan nga dy institucioneve shtetërore mbi 500 mijë €, ndërsa në fund i vetmi shpenzim i regjistruar është ai i një darke mundësuar nga “Gzona” me vlerë rreth 41 mijë euro.
