Kongresi Zgjedhor i Partisë Socialiste që do të mbahet më 27 korrik pritet të sjellë “furtunë” në selinë rozë. Burime bëjnë me dije se kryesocialisti Edi Rama po përgatitet për ndryshime që t’i japë impulse të reja bazës. Zgjedhjet e 2025 po afrojnë dhe lideri i PS do të hedhë që tani bazat për krijimin e një ekipi fitues. Rama e ka pas në thelb të gjithë qeverisjes së tij stimulin dhe motivimin duke futur ministra të rinj në kabinet duke pasur alternativa të reja në qeveri. Por duke nisur nga paralajmërimet e forta nga Edi Rama gjithë këto kohë, PS pritet të pësojë ndryshime të forta në radhët e saj dhe kjo do të vijë më shumë nga SPAK.
Rama pritet të riformatojë kabinetin qeveritar jo vetëm për të shtuar energjinë dhe motivuar njerëzit e vetë, por dhe i detyruar nga përballja që kanë njerëzit e tij me SPAK, pasi ka qenë vetë ai që ka përsëritur shpesh se “nuk do të mbrojë asnjë pushtetar që do të përballet me drejtësinë.” Nëse ai nuk largon socialistët me dosje në SPAK, goditja e tyre nga Prokuroria e Posaçme afër fushatës mund t’i ulë shumë pikë, pasi “heronjtë e heshtur” pritet t’i bien një nga një rrugës dhe kjo do të krijojë shumë telashe për vetë PS.
Emrat e rrezikuar
Në këtë situatë, emri i parë që është futur në “rrethin e kuq” të Edi Ramës është ministrja Belinda Balluku, të cilës po i bëhen “mal” kallëzimet në SPAK. Zyrtarja e lartë socialiste u paraqit gjithashtu më 15 maj të këtij viti në Prokurorinë e Posaçme. Fletëthirrja për Ballukun u bë nga prokurori Dritan Prençi i cili po heton dosjen e inceneratorit të Tiranës. Ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka gjithashtu disa kallëzime në SPAK për shpërdorim detyre dhe dyshime për korrupsion. Në mars 2021, PD paditi zv/kryeministren në SPAK për koncesionin e Portit të Durrësit. Balluku akuzohej për të paktën 6 vepra penale në lidhje me koncesionin 30 milionë euro të kalatës së Portit të Durrësit
Kalata iu dha me koncesion për 5 vjet një kompanie të regjistruar në parajsë fiskale, në shkelje flagrante të kërkesave për tenderin. Po për Portin e Durrësit, PD ka bërë një padi të dytë një vit më pas ndaj Ballukut, por edhe ndaj kryeministrit Edi Rama e Delina Ibrahimajt, si të implikuar në aferën e Portit të Durrësit. Një tjetër padi ndaj ministres së Infrastrukturës është bërë edhe për rrugën Korçë-Ersekë, për fryrjen e kostove nga 1 në 5 mln euro për kilometër.
“Nisma Thurje” ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku për procedurën e dhënies me koncesion të portit të Vlorës dhe dhënien e truallit prej 57 mijë metra katrorë me qira 1 euro për kompleksin rezidencial Vlora Marina. Nga ana tjetër Balluku është zyrtarja e lartë ka numrin më të madhe të drejtorëve në hetim nga Prokuroria e Posaçme apo janë të arrestuar për korrupsion dhe abuzim në tendera. Kjo do të bëjë që Edi Rama të mos rrezikojë dhe të largojë emrin e Ballukut nga ekipi që po përgatit për zgjedhje.
Ogerta Manastirliu
Më e rrezikuara është dhe Ogerta Manastirliu, pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me koncesionet në shëndetësi. Një hetim i gjerë në Ministrinë e Shëndetësisë, mund të lëkundin pozitat e Ogerta Manastirliut, për shkak se ajo dhe institucioni që drejton, gjithmonë është akuzuar se ka bërë rrush e kumbull paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë shumë dosjet përvëluese, duke filluar nga tenderët sekret te koncesionet e dhëna nga Manastirliu. Pra hetimet në SPAK pritet të detyrojnë Ramën që ta heqë Manastirliun.
Niko Peleshi
Nga ana tjetër, i rrezikuar është edhe Niko Peleshi. Roli i tij te inceneratorët, marrëdhëniet me Klodian Zoton, afera me matësit e ujit kur ka qenë në Bashkinë e Korçës dhe deri te skandalet në ushtri të cilat janë në skanerin e SPAK, do të bëjë që Edi Rama të mendohet për marrjen e Peleshit në ekip për zgjedhjet e 2025. Mësohet se para disa muajsh Peleshi u paraqit edhe në SPAK, ku u mor në pyetje nga prokurorët.
Ulsi Manja dhe Mirela Kumbaro
Në pikëpyetje është dhe Ulsi Manja e Mirela Kumbaro. Manja del në përgjimet e SKY. Ka qenë avokat Genc Gjokutaj, i cili disa javë më parë teksa foli për lidhjet e krimit me politikën në pushtet, theksoi se në përgjimet e SKY ka dalë edhe emri i ministrit Manja. “SKY është me të dhëna ulëritëse. Në kohë të Enver Hoxhës ka qenë një dyqan me artikuj të përzier, aty i ke të gjitha. Hulusiu thotë Doktori, Hulusiu ka dalë. Ka qenë prokuror rrethi ai në Shkodër. Hulusiu sot është ministër i Drejtësisë që ne sot kërkojmë drejtësi. Kësaj pune duhet t’i vëmë emrin dhe t’i pagëzojmë. Këta duhen goditur përditë me emër dhe mbiemër. Ditë për ditë duhen goditur me kallëzime penale”, deklaroi Gjokutaj. Nga ana tjetër, Kumbaro ka dalë në aferën e faturave fiktive me fondet e BE që fundosi Ilir Beqajn së fundmi.
Pikëpyetja për drejtuesin e qarkut të Tiranës
Në pikëpyetje këtu është dhe drejtuesi politik i qarkut të PS, Erion Veliaj. Kryebashkiaku po përballet me skandalet që kanë plasur në Bashkinë e Tiranës me dosjen “5 D”, si edhe me aferën e inceneratorit të Tiranës, për të cilat dha llogari para pak javësh duke u marrë në pyetje për 8 orë në SPAK. Ka zëra, se do të jetë Edi Rama që do ta marrë në dorë Tiranën për të shuar hatërmbetjet nga grupi i Veliajt dhe ndonjë socialisti që aspiron për këtë pozicion. Mbetet të shihet se çfarë lëvizjesh do të bëjë Ram, pasi ai njihet si politikan i surprizave.
