Klanet brenda Partisë Demorkatike (Rithemelimit) duket se po shtojnë çdo ditë e më shumë presionet ndaj Sali Berishës, që të largohet për t’i lënë vendin një figure tjetër të pranuar nga të gjitha palët. Pak ditë më parë Gjykata e Apelit i dha fund sagës së përplasjeve mes dy grupeve të PD-së, duke i dhënë përfundimisht vulën Sali Berishës. Me këtë vendim, Berisha kthehet në krye të Partisë Demokratike, partisë opozitare më të madhe në vend. Por ka një problem, Berisha po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe ndërkohë është shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe. Përpara kësaj situate të brishtë ngrihet një pyetje: A është normale që partinë më të madhe opozitare ta drejtojë një politikan që po hetohet për korrupsion dhe është sanksionuar nga aleatët? Nëse demokratët që mbështesin linjën euroatlantike mendojnë se Sali Berisha duhet të largohet, një mendim të njëjtë e kanë edhe klanet brenda PD-së, që qëndrojnë e mërzejnë në të njëjtën vathë me ish-kryeministrin.
Prapaskenat
Gazeta ka mësuar se plot pesë grupe rivale dhe dominuese janë konturuar tashmë brenda Partisë Demokratike, duke sjellë përplasje herë të nëndheshme dhe herë të sipërfaqshme në këtë parti. Bëhet fjalë për klanin e kreut aktual Sali Berisha që drejtohet nga Argita Malltezi, i Flamur Nokës, i Luçiano Boçit, i Belind Këlliçit dhe ai i Gazment Bardhit. Mësohet se grupet dhe klanet brenda kësaj partie vijojnë me të njëjtin intensitet përballjen e nëndheshme me njëri-tjetrin, aq sa nuk ngurrojnë dhe të shfaqin “helmin” e tyre edhe në publik. Janë 4 grupe të fuqishme që dominojnë jetën politike të PD, ndërsa grupi i pesti është në gjendje latente më shumë e shërben si “enë komunikimi” me grupet e tjera në funksion të një ekuilibri të brishtë në PD, çka në një moment delikat ai mund ta shfrytëzojë situatën për të marrë kontrollin e partisë. Kjo do të thotë se në kushtet kur Londra dhe Uashingtoni i mbyllën Sali Berishës derën e bashkëpunimit, në lojë kanë hyrë klanet, veçanërisht katër prej tyre. Pra si grupi Bardhit, i cili duhet theksuar se iu bashkua Berishës me synimin për t’i marrë partinë, ashtu edhe tre klanet e tjera Noka, Boçi dhe Këlliçi, që ndonëse bëjnë sikur janë besnikë të kreut të PD, në thelb kanë mision për t’i “ngrënë kokën” ish-kryeministrit. Kështu që nisur nga situata aspak premtues dhe e ardhmja e zymtë që e pret Sali Berishën, madje edhe vajzën e tij, Argitën, pasi janë të dy të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Anglia, emrat e sipërpërmendur po presin t’i japin goditjen finale kreut të Partisë Demorkatike pas 23 qershorit, duke qenë se ka zëra se pas kësaj date, atij i digjet mandati i deputetit. Thënë troç një person “non-grata” dhe pa mandat deputeti si Berisha apo edhe vajza e tij e sanksionuar, nuk shihen si lider brenda PD, andaj dhe klanet kanë nisur “luftën” se kush do të marrë drejtimin e PD dhe kontrollin e selisë blu (SHQUP).
Paralajmërimet
Por paralajmërim për të marrë frenat e Partisë Demorkatike dhe rezerva për Sali Berishën ka pasur edhe në publik. Deputeti i PD, Dashnor Sula teksa ishte i ftuar në një media pak ditë më parë, vlerësoi figura si Gazment Bardhi, Belind Këlliçi apo Jorida Tabaku, që sipas tij, mund të drejtojnë partinë, ndërsa i dha një “shuplakë” Sali Berishës. “Shqiptarët duan figura të tilla, Gaz Bardhim, Këlliçin, Tabakun. Që do të thotë opozita ka nevojë për njerëz pa të kaluarën e tyre në errësirë”, deklaroi Sula. Nga ana tjetër edhe Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, në mënyrë sistematike ka deklaruar ditët e fundit se mund të hyjë në politikë dhe ka shfaqur ambicien për të marrë drejtimin e Partisë Demorkatike nëse e sheh të nevojshme, duke sfiduar hapur kundërshtarët e saj brenda PD-së, si Belind Këlliçi, Gazment Bardhi, Luçiano Boçi apo Flamur Noka. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë pritet të ndodhë më konkretisht.
