Zgjedhjet e 2025 po afrojnë. Në situatën aktuale qeveria shqiptare dhe opozita ndodhen në një moment depresiv, ku një pjesë e tyre rrinë me sytë nga SPAK, ndërkohë që pjesa tjetër ndihet e terrorizuar nga fati i kolegëve. Ofensiva e Prokurorisë së Posaçme nuk po ndalet dhe po shkon deri te kryeministri, i cili i ka llogaritë e hapura me drejtësinë, si me çështjen “McGonigal”, por edhe me inceneratorët. Madje thuhet se brenda qershorit do të thirret në SPAK për të dhënë dëshminë e tij. Kjo ka bërë që opozita të shtojë thirrjet për qeveri teknike për të garantuar zgjedhjet si modeli maqedonas. SPAK po çon në kolaps mazhorancën dhe po e detyron që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Sigurisht që aktorët kryesorë të politikës nuk mund të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme me kryeministrin Edi Rama në pushtet, pasi do të konsiderohej një rrezik potencial për votat. Madje as amerikanët nuk do ta lejojnë një gjë të tillë. Me zhvillimet që na presin këtë verë të nxehtë, nuk përjashtohet mundësia e një qeverie teknike me bazë të gjerë në shtator, ku PS-opozitë bashkojnë forcat dhe kryeministër mund të zgjidhet një figurë politike, me profil të moderuar dhe që ka konsensusin më të madh, pasi zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2025 janë shumë afër. Edhe pse Lulzim Basha e ka hedhur poshtë këtë skenar, pasi për kryetarin e PD, qeveria teknike nuk mund të arrihet. “Ka zero shanse që kryeministri Edi Rama të pranojë qeveri teknike. Opozita për arsye që dihen dhe i kemi bërë subjekt të konferencave nuk është në gjendje të imponojë një qeveri teknike. Ky është një iluzion për të hequr vëmendjen nga një gjë shumë e rëndësishme”, ka thënë pak kohë më paraë Basha. Por ndryshe mendon “Rithemelimi”.
Thirrjet për qeveri teknike
Prej muajsh, fjala “qeveri teknike” ka qenë pothuajse në çdo deklaratë të Sali Berishës dhe grupit të tij mbështetës. Ish-kryeministri tha se dhuna dhe protestat do të ndërpriten vetëm kur Edi Rama të pranojë qeveri teknike. “Edi Rama e di se bashkë me suitën e tij ka vetëm një vend, në burg, në burg dhe në dekada burgu. Ndaj dhe ai përpëlitet dhe do bëjë çdo gjë, nuk do lërë gur pa lëvizur, nuk do lërë përpjekje pa bërë që të mbahet me dhëmbë në pushtetin e krimit. Por koha ka ardhur që të kalojmë në betejë të pandërprerë, në betejë të betuar se ndërpresim atë vetëm pas krijimit të qeverisë teknike”, deklaroi Berisha. Pak ditë më parë, ishte edhe anëtari i kryesisë së PD së Rithemelimit, Eno Bozdo , i cili tha vetëm një qeveri teknike do të sigurojë kushtet për një proces zgjedhor të pranueshëm. “Edi Rama po e dërrmon vendin, dhe kur ai kërkon ta dërrmojë kundërshtarin me votë, nuk ka ndërmend zgjedhje të lira por vjedhje të tyre. Partia Demokratike është në ballë të kesaj beteje me të keqen. Vetëm një qeveri teknike do të sigurojë kushtet për një proces zgjedhor të pranueshëm. Gjyshërit e fëmijëve tanë meritojnë një Shqipëri që nuk i trajton si robër lufte”, u shpreh ai. Po ashtu, edhe deputeti Agron Gjekmarkaj kërkoi në seancën e fundit në Kuvend qeveri teknike. Ai kërkoi largimin e qeverisë për t’i hapur rrugë qeverisjes së vendit përmes një qeverie teknike. “Kush jeni ju? Partia Socialiste që duhej të ishte sociale dhe socialiste me shqiptarët, apo një organizatë partnere dhe e tillë vetëm me banditët e cituar nga ish-zëvendëskryeministri juaj? Kush jeni, partia që matet elektoralisht me kundërshtarët apo ajo që pret agimin e ”fitoreve” pas natës së errët të kërcënimit të tyre nga të “fortët” me “thikat e tyre te gjata””, deklaroi ndër të tjera Gjekmarkaj.
Analistët kundër qeverisë teknike
Analisti Preç Zogaj, tha pak ditë më parë se opozita kërkon një qeveri të zgjedhjeve ashtu siç e ka dhe Maqedonia, por sipas tij vendi ynë nuk ka një të tillë për shkak të problematikave që shpesh ka prodhuar Shqipëria nga njëra zgjedhje në tjetrën të cilat janë të reflektuara qartë në raportet e OSBE ODIR. “Opozita kërkon dhe duhet të kërkoj që mundësisht të ketë një qeveri të zgjedhjeve, jo qeveri teknike. Edhe ndërkombëtarët mund të shtyjnë drejt një qeverie të zgjedhjeve. Qeveria e zgjedhjeve kujdeset vetëm për zgjedhjet siç e ka Maqedonia por e ka në Kushtetutë. Ajo është qeveri e zgjedhjeve nuk quhet qeveri teknike por është e përhershme. Ne nuk e kemi po për shkak të konfliktit, për shkak të problematikeve që ka prodhuar Shqipëria nga zgjedhje në zgjedhje janë të pasqyruara shumë qartë dhe me hollësi në raportet e OSBE ODIR për shkak të konflikteve që nganjëherë është korniza e atij që duhet një ishte një lloj uniteti”, tha Zogaj. Mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë deri në vjeshtë, por paralajmërimet se SPAK po përgatit një goditje të madhe në politikë, ku do të preket drejtëpërdret dhe qeveria mund të përmbysë çdo skenar.
