575 zyrtarë të lartë, ish-kryeministra, presidentë, ish-presidentë, ministra, ish-ministra, oligarkë dhe emra “VIP” nga opozita dosje korruptive në SPAK, mbi 1400 telefona drejtorësh e funksionarësh në përgjim, të rrezikuar edhe kryebashkiakë, ja lista me politikanë që po u trokasin prangat

Data

Vetë kreu i SPAK Altin Dumani zbuloi në raportin e fundit të Prokurorisë së Posaçme shifrën për numrin e personave që janë nën hetim nga prokurorët specialë. “Nga numri total i procedimeve penale prej 750, për 42 procedime është vendosur bashkimi i tyre me procedime të tjera. Pas bashkimit të procedimeve penale, numri total i çështjeve të hetuara nga Prokuroria e Posaçme për këtë vit është 708 procedime, me 575 persona nën hetim, për veprat penale në fushën e korrupsionit, në fushën e krimit të organizuar dhe vepra të tjera penale në kompetencë të saj, siç janë veprat me qëllime terroriste, veprat penale të korrupsionit zgjedhor, etj”, zbuloi Dumani. Gjithashtu në raport dolën shifrat edhe të përgjimeve ndaj drejtorëve dhe funksionarëve të lartë. SPAK tregoi se në filtrin e tyre janë mbi 1400 telefona. Sipas sinjaleve që dha Dumani, drejtësia e re pritet të firmosë dhjetëra fletë arresti, ku në pranga do të bien zyrtarë të pushtetit vendor, deputetë, ish-ministra të qeverisë Berisha dhe ministra të Ramës. Gazeta “SOT” po rendit disa nga çështje më të nxehta që pritet të shkundin opinionin publik. Gjithashtu në duart e prokurorëve mund të ketë edhe çështje të tjera, të cilat mund të jenë sekrete dhe të panjohura për publikun, siç është “Metamorfoza 4” që thuhet se do të plasë ditët në vijim.

Lista me disa nga emrat “VIP” që po hetohen

Olta Xhaçka, presidenti i PL Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Sali Berisha, djali i tij Shkëlzen Berisha, ish-ministri demokrat Aldo Bumçi, Petrit Vasili, Vangjel Tavo, Frida Krifca, Damian Gjiknuri, Fatmir Mediu, Ilir Beqaj, Ogerta Manastirliu, Jamarbër Malltezi, Erion Veliaj, presidenti Bajram Begaj, Belinda Balluku, Engjell Agaçi, Flamur Noka, Luan Baçi, Elona Guri, Endrit Braimllari dhe oligarkë të përfshirë te afera e pronave në ushtri janë disa nga emrat që SPAK. Gjithashtu në total përgjatë viteve 2019-2024, SPAK thotë se janë referuar gjithsej 65 kryetarë bashkie, ku për 34 prej tyre është vendosur mosfillim i hetimeve, ndërsa 18 të tjerë po verifikohen. Shumë prej këtyre hetimeve janë drejt fundit.  SPAK po heton  privatizimin dhe aferën korruptive të CEZ-it, shpërthimi në Gërdec ku implikohet Sali Berisha, lobimin e ish-LSI në SHBA për të marrë pjesë në inaugurimin e ish-presidentit Donal Trump në 2017, privatizimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani” nga dhëndri i kreut të “Foltores” Berisha, Jamarbër Malltezi, afera korruptive e inceneratorëve ku është përfshirë gati gjysma e qeverisë, nga Veliaj, Balluku, Engjell Agaçi e deri te Edi Rama, si dhe abuzimi me pronat e ushtrisë që dosja është drejt fundit të hetimeve. Aty rrezikon të fundoset, Bajram Begaj, oligarkë,  Olta Xhaçka dhe shumë zyrtarë të lartë në ushtri. Gjithashtu, SPAK po heton dhe kryeministrin për aferën “McGonigal”.

Frida Krifca dhe Ilir Beqaj

Por Frida Krifca dhe Ilir Beqaj janë të parët që rrezikohen nga SPAK. Gazeta “SOT” raportoi pak ditë më parë se hetimet e dosjeve të koncesioneve të shëndetësisë ku është përfshirë Beqaj dhe aferat me fondet e BE në bujqësi ku është përfshirë Frida Krifca po vijon. Për këto dosje, SPAK ka një presion edhe nga ndërkombëtarët. Beqaj ka qenë gjithmonë në shënjestrën e amerikanëve, ndërsa te Krifca kanë ndërhyrë vetë ndërkombëtarët duke i hapur dosje.

Meta, Kryemadhi dhe bashkëpunëtorët e tyre në alarm

Gjithashtu mësohet se provat e korrupsionit të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit janë faktuar nga SPAK, duke nisur nga aferat me shërbimet estetike, lobimi me para të pista në SHBA dhe CEZ-DIA. Goditja penale e Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe bashkëpunëtorëve të tyre nuk diskutohet. Është thjesht çështje kohe. Dyshohet se SPAK ka gjetur së fundmi  pasuri të tjera të cilat ata nuk i justifikojnë dot dhe prandaj po vonojnë hetimet. Po ashtu hetimet ndaj tyre pritet të prekin edhe bashkëpunëtorë e ish-bashkëpunëtorë të tyre, si Vangjel Tavo, Petrit Vasili që ka firmën te kontratat, Endrit Braimllari, por edhe Elona Gurin, ku thuhet se SPAK e ka futur në skaner si e dyshuara që pastron paratë e çiftit më të akuzuar për korrupsion në Shqipëri.

Damian Gjiknuri dhe një “ushtri” e tërë pas tij me ministra e ish-ministra

Jo më pak i rrezikuar është dhe deputeti Damian Gjiknuri. Pasi SPAK kërkoi nga Kuvendi autorizim për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, u publikuan në media të dhëna nga dosja hetimore e SPAK se ka dyshime se Arben Ahmetaj dhe Gjiknuri janë takuar dhe kanë qëndruar bashkë më datë 08.02.2014 në Frankfurt me shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, bosët e inceneratorëve. Madje pretendohet se vetë Zoto dhe Mërtiri i kanë paguar qëndrimet në hotel ish-ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Gjiknuri. Megjithatë, ai i përgënjeshtroi këto deklarata duke thënë se fluturimet në këto vende janë paguar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe nuk kanë qenë fluturime personale. Në dosjen hetimore, dolën dhe emrat e deputetëve socialistë, Baftjar Zeqo dhe Fadil Nasufi. Për aferën e inceneratorëve janë përmendur dhe emra të zv/kryeministrit Belinda Balluku dhe ish-ministrave, Edmond Haxhinasto, Sokol Dervishi, Petrit Vasili, Shkëlqim Cani, Milva Ikonomi, etj.

Ogerta Manastirliu

Edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u thirr disa javë më parë në SPAK për të dëshmuar lidhur me aferën e “sterilizimit”. Kanë qenë dëshmitë e dhëna nga Beqaj që e kanë detyruar atë ta thërras dhe duket sikur Beqaj ka dashur që të kërkoj edhe përfshirjen e saj në këtë çështje. Janë edhe pak dëshmitarë që duhet të paraqiten në SPAK dhe brenda një muaji çështja e sterilizimit shkon në gjykatë bashkë me njoftimin e akuzave konkrete. Beqaj nuk mund ta fitoj statusin e të penduarit në këtë fazë hetimi, një muaj pas mbylljes së hetimeve. Por pika lidhëse mes Manastirliut që është devijancë e Beqajt në këtë çështje ka të bëjë që Manastirliu në postin e drejtoreshës së QSUT, ka kërkuar në 2012-2013 që sterilizimi i ngritur në atë kohë të vihej në funksion nga ministria e drejtuar nga Beqaj dhe nuk ka pasur një letër përgjigje nga ministri në atë kosh. Këtu duket se është ajo pika e errët për të cilën do të hetoj SPAK. Pra, është një kërkesë që është dërguar nga Manastirliu tek Beqaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related