Mënyra e pyetjes së 5 dëshmitarëve amerikanë në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në Gjykatën e Posaçme përplasi ditën e djeshme prokurorët e SPAK me avokatët e të pandehurit. Prokurorët e SPAK kërkuan që pyetja të bëhej përmes letër-porosive, pasi sipas tyre pyetja përmes video-konferencës ishte e vështirë, për arsye teknike, por edhe për shkak të diferencës orare mes dy vendeve. Ndërsa avokatët e Mediut, por edhe avokati i familjarëve të viktimave, kërkuan pyetje përmes videokonferencës. Sipas avokatëve, vetëm në këtë mënyrë pyetja e dëshmitarëve do të ishte shteruese. Dëshmitari i vetëm i paraqitur dje në seancë, si i bashkëpandehur në një procedim të lidhur, ishte Dashnor Çaushi, i fajësuar në gjyqin e parë të dosjes “Gërdeci”. Ish-anëtari i komisionit të kategorizimit të municioneve nuk dha pëlqim të jepte dëshmi.
Deklarata e Mediut
I pandehuri i procesit të Gërdecit, Fatmir Mediu i ka thënë jo kërkesës së SPAK për të dhënë dëshminë e tij, duke pretenduar se nuk do dëshironte të përfundonte një statistikë gjyqësore e Prokurorisë. Brenda seancës ai lexoi një deklaratë duke shpjeguar pse dëshminë e tij do ta japë për avokatët pasi të jenë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët e tjerë. Por për SPAK kjo përbën refuzim për të dëshmuar. Vetë ish- Ministri i Mbrojtjes thotë se akuzat ndaj tij janë një manipulim shumë vjeçar, pretendim të cilin e përforcoi edhe për mediat, jashtë dyerve të Gjykatës së Posaçme. Në seancën e kaluar prokurori kërkoj që unë të pyetem. Që në krye të herës dua të them se: Pavarësisht se ky proces penal kundër meje ka nisur dhe po vazhdon në kundërshtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, kam zgjedhur të respektoj institucionin e Gjykatës dhe Prokurorisë dhe kundërshtimin ndaj kësaj paligjshmërie ta bëj në këtë sallë. Nuk kam bërë politikë me këtë çështje dhe pse siç theksova, paligjshmëria për çdo njeri me dije minimale juridike është flagrante dhe nuk i jam shmangur apo larguar qoftë edhe një çast përballjes me drejtësinë në këto 17 vite. Kam qenë këtu në çdo seancë për të dëgjuar me vëmendje të gjithë dëshmitarët me të cilët akuza pretendon të provojë fajësinë time. Asnjëri prej tyre nuk ka dëshmuar qoftë edhe një fjalë të vetme kundër veprimeve të mia, madje kanë treguar qartë se Ministri nuk ka përcaktuar Gërdecin, nuk ka përcaktuar kalibrat si dhe nuk ka përgjegjësi për zbatimin e Rregullores së trajtimit të municioneve sepse ato janë çështje tërësisht ushtarake. Ministri si autoritet civil drejtues i Ministrisë së Mbrojtjes, ka respektuar vendimet e strukturave civile dhe ushtarake të ngarkuara me ligj. Nuk ka asnjë dëshmi që të kem, injoruar dhe ndikuar në asnjë rast vendimmarrjen e tyre. Kam zbatuar ligjin dhe detyrat e mija si Ministër i Mbrojtjes. Kam kërkuar nga strukturat ushtarake dhe civile të raportojnë detyrat e ngarkuara me ligj në mënyrë periodike tek autoritet e tyre drejtuese dhe tek Ministri. Nuk ka pasur asnjë raportim për moszbatim të detyrimeve ligjore apo rregullave të trajtimit të municioneve. Do të jem këtu në çdo moment për të debatuar dhe vlerësuar çdo dokument apo fakt që kërkon të sjell prokuroria si provë në këtë proces. Kam bindjen se vlerësimi i paanshëm dhe i vërtetë me ekspertë i akteve të ekspertimeve ushtarake, ekonomike dhe fakti pse ka ndodhur ngjarja, do të hidhnin dritë mbi të vërtetën e cila manipulohet qëllimisht prej 17 vitesh. E nderuar Znj. Gjyqtare, për 17 vite unë nuk jam pyetur. SPAK për dy vjet nuk më pyeti dhe hetoj çfarë donte, padyshim kjo është detyra e SPAK të hetojë, por mendoj se në dy vite duhet të kishte pasur vullnetin për të dëgjuar dhe të vërtetën time për të bërë drejtësi dhe për të ndryshuar edhe veprimet e qëllimshme të ish-Prokurorëve. Për fat të keq kjo nuk ndodhi. Prokuroria ka kërkuar të pyetem në fund të dëshmitarëve që ka paraqitur. Po Znj.Gjyqtare pranoj tu përgjigjem çdo pyetje të prokurorëve apo pyetjeve tuaja, por do ta bëj këtë në fund të këtij procesi, mbasi të jenë dëgjuar gjithë dëshmitarët e palëve dhe të jenë shqyrtuar të gjitha aktet dhe provat shkresore. Përndryshe zhvillimi i seancës së pyetjeve ndaj meje, në këtë moment të procesit do të jetë thjeshtë një akt formal, që nuk i shërben aspak të vërtetës, por thjeshtë statistikës”, u shpreh Mediu. Ndërkaq, për të tretën herë gjyqtarja, Irena Gjoka përsëriti domosdoshmërinë e paraqitjes në gjykatë në datën 27 mars të ish sekretares së ministrisë së Drejtësisë, Anjola Agolli, nga ku ka dalë edhe faksi me mbishkrimin për Shkëlzen Berishën, diçka e pranuar nga vetë ajo në procesin e mëparshëm për tragjedinë e “Gërdecit”.
