Shqipëria ka shprehur mbështetje të plotë për veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër regjimit të Nicolás Maduro-s në Venezuelë.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, përmes një reagimi publik, deklaroi se Shqipëria qëndron pa mëdyshje përkrah SHBA-së dhe Presidentit amerikan në veprimet e tyre vendimtare kundër asaj që e cilësoi si regjim narko-terrorist në Venezuelë.
Ajo theksoi mbështetjen për lidershipin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale.
Sipas Spiropalit, populli venezuelian ka të drejtë të pamohueshme për liri, demokraci dhe sundim të ligjit, duke nënvizuar se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të qëndrojë indiferente përballë shtypjes dhe frikës.
Ministrja shtoi se, si një aleat i palëkundur i SHBA-së dhe vend anëtar i NATO-s, Shqipëria qëndron krah për krah me lidershipin amerikan në mbrojtje të parimeve demokratike dhe sigurisë globale.
