Prokuroria e Posaçme po kopsit disa dosje “përvëluese” që do të çojnë pas hekurave politikanë të njohur. Në programin e transparencës së SPAK për muajt e fundit të 2024, te regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve, janë zbardhur disa detaje nga politikanët që kanë dosje në Prokurorinë e Posaçme. Nga të dhënat, goditja më e madhe pritet të jetë për tek Partia Socialiste, ku i rrezikuari kryesor është vetë kryeministri Rama. SPAK ka konfirmuar se vazhdojnë hetimet për dosjen “McGonigal”. Po ashtu nën ankthin e burgut janë dhe ish-ministrat, kryebashkiakë dhe zyrtarë të tjerë të lartë. SPAK gjithashtu ka sqaruar edhe zërat dhe debatet pas thirrjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në Prokurorinë e Posaçme.
Për kë do të kërcasin prangat?
Më konkretisht ish-ministrja e parë që rrezikohet është Frida Krifca. Teksa në SPAK është kërkuar informacion nëse është regjistruar procedim penal për Krifcën dhe për çfarë vepre penale, Prokuroria e Posaçme ka dhënë përgjigjen se po vazhdojnë të hetojnë abuzimet me fondet e IPARD nga AZHBR. “Në vijim të komunikimit, si dhe në përgjigje të kërkesës tuaj për informacion, ju bëjmë me dije se Prokuroria e Posaçme po kryen hetime në lidhje me shpërndarjen e fondeve të programit IPARD nga AZHBR. Procedimi penal në fjalë është ende në fazën e hetimeve paraprake. Bazuar në nenin 279/1 të Kodit të Procedurës Penale, aktet hetimore dhe përmbajtja e tyre përbëjnë sekret hetimor”, thuhet nga SPAK. Gazeta “SOT” ka raportuar edhe më parë se OLAF, zyra e Bashkimit Evropian kundër mashtrimit në operacionet e saj ka kapur shkelje në shpërndarjen e fondeve të BE nga AZHBR, të cilat nuk kanë shkuar për fermerët, por në qoka për pushtetarët. Në këtë skemë del emri i Frida Krifcës, e cila akuzohet për afera të rënda. Në lidhje me çështjen e OLAF, një raport i kësaj strukture mësohet se është paraqitur pranë zyrave të SPAK me vërejtjet dhe gjetjet përkatëse në përdorimin e fondeve nga AZHBR, çka tregon se nëse hetimet thellohen, Krifca rrezikohet të arrestohet.
Dosjet në shëndetësi
Nga ana tjetër, SPAK zbulon se vazhdojnë hetimet për aferën e Check-Up dhe laboratorët. Përgjigjja e Prokurorisë së Posaçme erdhi pas pyetjes nëse ka hetim për koncesionin e “Dhënia me Koncesion/Partneritet Publik Privat të paketës së shërbimit të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40-65 vjeç” i fituar nga kompania “3P Life Logistic”. SPAK përgjigjet: Në lidhje me konçensionin “Dhënia me Konçension/Partneritet Publik Privat të paketës së shërbimit të kontrollit mjekësor bazë për moshat 40-65 vjeç”, i fituar nga kompania “3P Life Logistic”, rezulton të jetë regjistruar procedim penal në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ky procedim është në fazën e hetimeve paraprake”. Po ashtu Prokuroria konfirmoi se ka hetime dhe për koncesionin e laboratorëve. “Në lidhje me konçensionin e “Ofrimi i shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake”, i fituar nga kompania “LABORATORY NETËORKS”, rezulton të jetë regjistruar procedim penal në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake”, thotë SPAK
I rrezikuar Beqaj
Personazhi kryesor që është nën lupën e SPAK për këto dy dosje është Beqaj. Pra dosjet e tij në drejtësi janë mal. Nëse ia hedh paq sterilizimit, koncesionet dhe aferat e tjera do ta fundosin. Mësohet se gjatë kësaj kohe janë sekuestruar dokumente të rëndësishme në zyrën e Beqajt. Madje prokurorët i kanë shtrirë hetimet deri në Poloni për trasnferta të dyshimta parash. Detajet nga kjo dosje i ka dhënë edhe gazetarja Klodiana Lala. Sipas saj, ka një hetim të ri ndaj Beqajt për abuzimet me fondet e agjencisë SASPAC që ai drejtonte. “Zhvillime të qenësishme dhe rëndësishme për ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili u duk sikur shpëtoi përfundimisht nga Koncesioni i Sterilizimit, por ka një hetim të ri për abuzimet me fondet e agjencisë SASPAC që ai drejtonte. SASPAC është agjencia që koordinonte ndihmat, apo fondet e huaja që vinin nga jashtë vendit dhe që ka dyshime të forta sipas SPAK, jo vetëm për abuzime, por edhe lidhje klienteliste me kompani farmaceutike, por edhe për fshehjen e pasurisë. Kontrolli duket se ka lidhje me dyshimet se Beqaj ka favorizuar kompaninë e ‘Delta Pharma’, duke ndryshuar kriteret e një tenderi, duke lejuar futjen e barnave të pacertifikuara në vend gjatë kohës që ishte ministër i Shëndetësisë. Kontrollet janë zhvilluar edhe tek kompanitë “Avicena” dhe farmacitë “Ditë Natë” të cilat janë pjesë e kompanisë “Delta Pharma”, tha gazetarja.
I rrezikuar edhe Rama
Nga ana tjetër SPAK në programin e transparencës tregon se hetimet për dosjen “McGonigal” vazhdojnë. I rrezikuari kryesor në këtë mes është Edi Rama. Madje gazetari Robert Papa tha dje se burgosja dy ditë më parë e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal pritet të ketë zhvillime jo të mira për kryeministrin pasi hetimet e SPAK janë të hapura. Ai deklaroi se dosja e Edi Ramës është voluminoze, është shumë e madhe dhe se kreu i SPAK, Altin Dumani duket ta ketë marrë dhe teknikisht ka të drejtë ta kërkojë. “Kisha idenë se mund ta kërkonte në gjykatë por nga ato konsultime që kam pasur këtu dosja mund të merret edhe te FBI se krimet më të mëdha financiare McGonigal nuk e ka bërë në SHBA, por në Shqipëri. Në SHBA pati një lloj pazari. Akuza në Uashington është se nuk ka deklaruar se ka pranuar 225 mijë dollarë nga ish-sigurimsi shqiptar Neza, që i ka quajtur si borxh. Në fakt nuk ka ngjarë kështu. Prokurorët pranuan ta dënojnë gjithsej me gjashtë vite burg, ka dhe tre vite të tjera me kusht janë nëntë vjet. Nuk janë pak për një zyrtar të lartë të FBI i cili sipas medias si shqiptare dhe amerikane ka shkundur rreth 20 milionë dollarë me emra të oligarkëve shqiptarë dhe për Ramën është skandaloze dhe nga një kanal minor si kanali i majtë RAI3, akuzat se në zyrën e tij hyn çdo njeri edhe me të kaluar kriminale. Edhe thjesht McGonigal nuk ka si të hyjë në zyrën e kryeministrit pa një protokoll se ndryshe ne pranojmë që jemi një shtet bananesh. Ka një protokoll se kush hyn dhe për çfarë flet”, tha ai.
