Teksti i marrëveshjes së paqes ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit pritet të nënshkruhet të premten në kompleksin prestigjioz Bürgenstock, pranë qytetit të Lucernës në Zvicër.
Sipas autoriteteve zvicerane, ceremonia do të zhvillohet në një hotel luksoz të resortit Bürgenstock, i vendosur në një zonë malore me pamje panoramike mbi Liqenin e Lucernës.
Vendndodhja është zgjedhur për shkak të nivelit të lartë të sigurisë që ofron, pasi kompleksi ndodhet në një zonë me akses të kufizuar dhe mundësi të avancuara për mbrojtjen e delegacioneve pjesëmarrëse.
Ministria e Jashtme e Zvicrës bëri të ditur se propozimi për zhvillimin e takimit në Bürgenstock është bërë nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, përfshirë Pakistanin dhe Katarin, dhe më pas është miratuar nga të dyja palët, SHBA-ja dhe Irani.
Nënshkrimi i memorandumit konsiderohet një hap i rëndësishëm diplomatik në përpjekjet për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve pas viteve të gjata të mosmarrëveshjeve politike dhe gjeopolitike.
