Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar ashpër ndaj projektit të parashikuar për ndërtimin e një kulle pranë Pallatit të Kongreseve në Tiranë, duke ngritur shqetësime për mungesën e transparencës dhe mënyrën se si po administrohen pronat publike.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji e cilësoi projektin si pjesë të një modeli që, sipas tij, ka kthyer pasuritë publike në objekt përfitimi politik dhe klientelist. Ai ngriti një sërë pyetjesh mbi kushtet e zhvillimit të projektit, përfituesit dhe interesin publik.
“Në zemër të Tiranës, mbi një nga pronat publike më të lakmuara në vend, propozohet një tjetër kullë. E si gjithmonë, transparenca mungon, ndërsa pyetjet e publikut mbeten pa përgjigje. Kush përfiton? Me çfarë kushtesh? Çfarë fiton realisht qytetari shqiptar? Pse nuk ka debat publik për një pronë që u përket të gjithë shqiptarëve?”, shkruan ai.
Salianji nuk kurseu kritikat as ndaj lidershipit të Partisë Demokratike, duke vënë në pikëpyetje mungesën e një reagimi publik nga kryetari i PD-së, Sali Berisha.
“Më e fortë se zhurma e betonit është heshtja. Heshtja e atyre që duhet të ishin në vijën e parë të mbrojtjes së interesit publik, duke nisur nga lidershipi i PD-së. Ku është Sali Berisha këtë periudhë? Me Ramën apo kundër Ramës? Heshtja ndërkohë që pretendon se ende është alternativë”, deklaroi ai.
Sipas ish-deputetit, mungesa e kundërshtimit ndaj projekteve të tilla ushqen dyshimet e qytetarëve për ekzistencën e një konsensusi të heshtur mes palëve politike kur bëhet fjalë për pronat publike.
“Kur për një pronë kaq strategjike nuk dëgjohet asnjë kundërshtim, qytetarët kanë të drejtë të pyesin: a kemi të bëjmë me një përplasje politike reale apo me një konsensus të heshtur kur vjen puna te pazaret me pronën publike?”, theksoi Salianji.
Në përfundim të reagimit të tij, ai u shpreh se protestat qytetare që po zhvillohen në vend janë një reagim ndaj këtij modeli qeverisjeje dhe administrimi të pasurive publike.
“Për të shembur këtë sistem qytetarët po protestojnë. E këtë kam muaj që po e them në sallat dhe sheshet e qyteteve”, përfundoi Salianji.
