Lindita Nikolla përfundon në SPAK, ja shkeljet dhe akuzat që rëndojnë mbi kryeparlamentaren, zbardhen detaje nga kallëzimi i PD

Data

Ashtu sikurse paralajmëroi, Partia Demokratike përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Enkelejd Alibeaj ka kallëzuar dje në SPAK kryetaren e Kuvendit Lindita, Nikollën për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të realizuar votën e diasporës. Sipas kallëzimit të bërë nga PD, Kuvendi nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila imponon plotësimin e vakuumit ligjor për votën e emigrantëve. Ndërsa për Nikollën, në padi thuhet se ka konsumuar veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe pengim të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. “Mbi Kuvendin e Shqipërisë, në cilësinë e organit publik (palë ndërgjyqëse në atë gjykim) të ngarkuar drejtpërdrejt me vendimin e Gjykatës Kushtetuese numër 38, datë 09.12.2022, rëndon detyrimi për zbatimin e këtij vendimi, brenda një afati 1 vjeçar nga data e hyrjes në fuqi të vetë vendimit (dita e fundit e përmbushjes së afatit 1 vjeçar daton më 12.01.2023). Shkas fillestar i këtij kallëzimi, është fakti se Gjykata Kushtetuese, ka emetuar një vendim të saj, me numër 38 datë 09.12.2022. Në dispozitivin e këtij vendimi, në pikat 2 dhe 3. Gjykata ka vendosur: 2. Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor. 3. Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti. Kështu pra, rezulton se mbi Kuvendin e Shqipërisë, në cilësinë e organit publik (palë ndërgjyqëse në atë gjykim) të ngarkuar drejtpërdrejt me vendimin e Gjykatës Kushtetuese numër 38, datë 09.12.2022, rëndon detyrimi për zbatimin e këtij vendimi, brenda një afati 1 vjeçar nga data e hyrjes në fuqi të vetë vendimit (dita e fundit e përmbushjes së afatit 1 vjeçar daton më 12.01.2023). Për më shumë, detyrimi konsiston në “plotësimin e boshllëkut ligjor”, pra miratimi i rregullave normative shtesë, të rangut ligj, proces që sipas Kushtetutës është kompetencë ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë. Deri në datën e depozitimit të këtij kallëzimi, në bazë të informacioneve publike, nuk rezulton që Kuvendi i Shqipërisë të ketë përmbushur detyrimin për zbatimin e vendimit të Gjykatës. Duke respektuar të drejtën ligjore të organit të akuzës për cilësimin e saktë ligjor të veprës penale vlerësojmë se në objekt kallëzimi janë konsumuar plotësisht elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe/ose “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” parashikuar përkatësisht nga nenet 248 dhe 320 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, thuhet ndër të tjera në kallëzim. Më poshtë po pasqyrojmë edhe një pjesë të arsyetimit ligjor që parashtron Partia Demokratike.

ARSYETIMI LIGJOR

1.      Vepra penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikohet në nenin 248 të Kodit Penal i cili përcakton se: “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

2.      Vepra penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” parashikohet në nenin 320 të Kodit Penal i cili përcakton se: ‘Fshehja, tjetërsimi, konsumimi, dëmtimi apo shkatërrimi i sendeve për të cilat është marrë një vendim prej gjykatës, ose kryerja e veprimeve të tjera të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose të pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet’”.

3.      Nga analiza e dispozitivit (pjesës urdhëruese) të vendimit numër 38, datë 09.12.2022 të Gjykatës Kushtetuese rezulton se Gjykata ka ngarkuar Kuvendin me detyrimin për a) plotësimin e boshllëkut ligjor dhe b) përmbushjen e këtij detyrimi brenda afatit një vjeçar nga botimi i vendimit në fletoren zyrtare. Kjo pjesë urdhëruese e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është në zbatim të plotë të pikave 1 dhe 3 të nenit 81 të ligjit 8577/2000. Pika 3 e nenit 81 i jep kompetencën Gjykatës Kushtetuese që nëpërmjet dispozitivit (pjesës urdhëruese) të vendimit të përcaktojë organin publik (në rastin konkret Kuvendin) që ka detyrimin për zbatimin e vendimit dhe njëkohësisht të përcaktojë edhe afatin kohor brenda të cilit vendimi do të duhet të zbatohet.

4.      Nga analiza harmonike e nenit 81 të ligjit 8577/2000 dhe vendimit 38/2022 të Gjykatës Kushtetuese rezulton se a) Kuvendi i Republikës së Shqipërisë kishte për detyrë të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke plotësuar boshllëkun ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e vendimit b) ky detyrim për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhej të përmbushej nga Kuvendi brenda datës 12.01.2024 (bazuar në faktin që vendimi është botuar në fletoren zyrtare numër 5, të datës 12.01.2023 dhe hynte ne fuqi me botimin e tij në fletoren zyrtare) dhe c) përgjegjësia penale për moszbatimin ose pengimin e zbatimit të vendimit 38/2022 të Gjykatës Kushtetuese është e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si organi i ngarkuar nga vetë Gjykata për zbatimin e tij.

5.      Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si një organ kolegjial, rregullon veprimtarinë e vet, pra organizimin dhe funksionimin me anë të Rregullores së tij. Ky është një parashikim i përmbajtur në nenin 75/2 të Kushtetutës. Rregullorja e Kuvendit është miratuar me vendimin numër nr. 166, datë 16.12.2004, ndryshuar me vendimin nr. 15, datë 27.12.2005, vendimin nr. 193, datë 7.7.2008, vendimin nr. 21, datë 04.03.2010, vendimin nr. 41, datë 24.6.2010. vendimin nr. 88, datë 24.2.2011, vendimin nr. 41 datë 30.05.2013, vendimin nr. 95 datë 27.11.2014, vendimin nr. 88 datë 14.9.2017, vendimin nr. 85 datë 18.7.2019, vendimin nr. 12/2020, vendimin nr. 86/2021 dhe vendimin nr. 126/2023.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related