Lulzim Basha: Vetëm në vitin 2023 zyrtarët e korruptuar i kanë shkaktuar shtetit 2 miliardë euro dëm, ja pse duhet vetingu në politikë dhe si amendamentet e PD do të forcojnë institucionet e drejtësisë

Data

Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha ka shpërthyer me tone të ashpra ndaj qeverisë dhe të korruptuarve. Ditën e djeshme nga Kuvendi Zgjedhor i PD në Tiranë, Basha theksoi se çelësi i politikës është vetëm vetingu në politikë, ku theksoi edhe nevojën urgjente të miratimit të tij, pasi vetëm vitin e shkuar dëmi ekonomik i shkaktuar nga zyrtarët e korruptuar arriti deri në vlerën e 2 miliardë eurove. “2 miliardë euro, shifër e parrokshme për mendjen përllogaritet të jetë dëmi që zyrtarët e lartë shqiptarë i kanë shkaktuar vetëm vitin e kaluar, ose vitin paraardhës buxhetit të shtetit. Para korrupsioni të cilat janë investuar në masë të madhe në këtë ekonomi të dytë informale apo jashtë vendit. Që të luftosh korrupsionin, duhet ta shkulësh me themel këtë kancer në zemër të politikës dhe për këtë ka vetëm një rrugë. Fshehin paratë e vjedhura të qytetarëve dhe na japin mend për luftën kundër korrupsionit. A ka derman për këtë? Sigurisht që ka, është e njëjta rrugë që duhet përshkuar për 200 e ca politikanët kryesor të vendit, vit pas viti duhet bërë vettingu u pasurisë së politikanëve, i lidhjeve të tyre të papërshtatshme, i pasurisë së rrethit të tyre familjar, të rrethit të tyre shoqëror, dhe për këtë Partia Demokratike, ne demokratët, grupi ynë parlamentar ka depozituar prej 6 nëntorit të vitit të kaluar ligjin për vettingun e politikanëve. Jo fjalë po akte konkrete.”, deklaroi Basha.

Basha mesazh të korruptuarve

Më tej kryedemokrati Lulzim Basha kërkoi votimin e amendamentit të propozuar nga Partia Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, ku sipas tij, thotë se forcon edhe më shumë institucionet e drejtësisë në vend. Gjithashtu, kreu i PD deklaroi hapur gjatë fjalës së tij në Kuvendin Zgjedhor mbështetjen e pakushtëzuar ndaj SPAK dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë. “I tillë është edhe qëndrimi ynë i pakushtëzuar në mbështetje të drejtësisë, në mbështetje të SPAK, sepse është qëndrimi në mbështetje të shtetit të së drejtës. Prandaj Partia Demokratike, ka qëndruar dhe qëndron jo thjesht me fjalë, por me fakte si ato që ndodhen të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë, për fuqizimin e SPAK-ut. Forcim dhe jo dhe jo dobësim të institucioneve të drejtësisë, fuqizim institucioneve të drejtësisë, inkurajim i drejtësisë për të luftuar dhëmbë për dhëmbë korrupsionin politik, pavarësisht prej ngjyrave, pavarësisht prej emrave, ky është qëndrim i prerë, mbështetja jonë për SPAK, për GJKKO, për BKH, për drejtësinë. Nuk mund të jesh kundër korrupsionit ditën, e kundër SPAK-ut natën. Kjo nuk është vetëm paqartësi politike, kjo është vrastare për interesat e demokratëve sepse është e rrezikshme për interesin publik. Prandaj bashkë me propozimet tona në Parlament për të fuqizuar SPAK-un, ndodhet edhe propozimi tjetër për të hequr imunitetin parlamentar. Ky është një qëndrim pa ekuivok, ky është një qëndrim që ndan ditën nga nata, fjalët nga veprat”, u shpreh kreu i PD.

Taksa e sheshtë

Gjithashtu, Lulzim Basha nga Kuvendi Zgjedhor deklaroi se PD në fokus të programit të saj politik ka dhe taksën e sheshtë 9% që do t’i jap fund problemit të pronës, si dhe do të fuqizojë qëndrimin e të rinjve në politikë, ekonomi dhe shumë sektorë të tjerë. “Kjo betejë nuk ka vend për nuanca, nuk bëhet thjesht dhe vetëm sa do të jetë niveli i taksës, sigurisht që taksa jonë do të jetë taksë e ulët. Do të jetë taksa e sheshtë 9%. Sigurisht që qeveria jonë do të jetë një qeveri që do të ketë synime të qarta politike. Dyfishimin, trefishimin, shumëfishimin e shtresës së mesme shqiptare. Dhënien fund problemit të pronës, fuqizimin e rinisë shqiptare në politikë, në ekonomi dhe kudo tjetër. Por megjithatë kryesorja dhe më e rëndësishmja është që ne qëndrojmë sot si e vetmja forcë politike e qartë, e prerë dhe fuqishëm për ato vlera, për ato parime, për ato procese që bëjnë dhe do të bëjnë diferencën midis një Shqipërie të nëpërkëmbur, një Shqipërie të përhumbur, një Shqipërie që zvarritet e plaket në çdo aspekt dhe një Shqipërie e cila ndërton në siguri dhe në mirëqenie të ardhmen e premtuar por akoma të pa arritur për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Dhe qëndrimet tona duhet t’ia bëjmë çdokujt se nuk janë qëndrime partiake, as interesa të ngushta politike, por janë e vetmja mburojë e interesit publik sot në Shqipëri”, përfundoi Basha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related