Alarm i kuq në burgje: Të dënuarit më të rrezikshëm largohen nga Durrësi, transferim sekret gjatë natës në Peqin

Data

Një operacion i pazakontë dhe me masa ekstreme sigurie është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të 15 janarit 2026, ku 15 të burgosur me rrezikshmëri shumë të lartë janë transferuar nga Burgu i Durrësit drejt burgut të Peqinit, institucioni që konsiderohet aktualisht më i sigurti në vend.

Operacioni është kryer pak pas mesnate, nën shoqërimin e dhjetëra automjeteve policore dhe me protokolle të rrepta sigurie. Kolona ka mbërritur në ambientet e burgut të Peqinit rreth orës 00:15. Burime jo zyrtare bëjnë me dije se në këtë grup përfshihen emra të njohur të botës së krimit, të konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Vendimi për transferimin masiv është marrë menjëherë pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, një ngjarje që tronditi rëndë sistemin penitenciar dhe ekspozoi dobësi serioze në menaxhimin e sigurisë. Ky episod u kthye në katalizator për një riorganizim të menjëhershëm të burgjeve në rang kombëtar.

Në fokus të operacionit kanë qenë të dënuarit dhe paraburgosurit që deri më tani qëndronin në Burgun e Durrësit, institucion i njohur ndryshe edhe si “burgu i VIP-ave”, për shkak të kushteve më komode dhe profileve të disa të burgosurve. Fillimisht ishte diskutuar shpërndarja e tyre në disa institucione të ndryshme, por elementët më problematikë janë përzgjedhur të sistemohen në Peqin, për shkak të nivelit maksimal të sigurisë.

Burime nga brenda sistemit bëjnë të ditur se 206 të dënuar dhe paraburgosur të Burgut të Durrësit janë kaluar në verifikim të detajuar për të vlerësuar shkallën e rrezikshmërisë së secilit. Një ditë më parë, Ministria e Drejtësisë urdhëroi hartimin e një plani të ri kombëtar për rishpërndarjen e të burgosurve, duke i ndarë sipas rrezikut shoqëror.

Thelbi i këtij plani është largimi i plotë i personave me rrezikshmëri të lartë nga burgu i Durrësit dhe sistemimi i tyre në burgje me siguri të lartë. Deri para këtij vendimi, në një seksion të posaçëm në Durrës ndodheshin 27 të dënuar të rrezikshëm, ndërsa institucioni numëronte gjithsej 54 të dënuar dhe 152 paraburgosur.

Operacioni i transferimit drejt Peqinit shihet si një mesazh i fortë i shtetit për rikthimin e kontrollit dhe disiplinës në burgje, veçanërisht pas rasteve të përsëritura të shkeljeve, gjetjes së celularëve të fshehur dhe dështimeve në zbatimin e protokolleve të sigurisë.

Aktualisht, në Shqipëri funksionojnë 20 institucione të vuajtjes së dënimit, nga të cilat 7 kanë seksione të sigurisë së lartë, ku tashmë po përqendrohen elementët më problematikë të botës së krimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related