Shumë shpejt do të kemi lajme të bujshme në lidhje me dosjen “CEZ-DIA”, pasi Prokuroria e Posaçme do të fillojë me “prerjen e kokave”. Mësohet se dosja është qepur nga SPAK dhe në vijim do të priten urdhër-arreste. “Peshku i madh”që rrezikon arrestimin është ish-presidenti Ilir Meta, i cili është thirrur dy herë brenda Prokurorisë së Posaçme. Ai dyshohet se është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash, duke gllabëruar paratë e qytetarëve shqiptarë gjatë kohës kur kreu aktual i partisë së Lirisë ka qenë ministër i Ekonomisë në qeverinë “Berisha 2” gjatë viteve 2009-2011. Sulmet e Metës ndaj kreut të SPAK Altin Dumani, i cili është marrë personalisht me dosjen CEZ-DIA tregojnë se çdo gjë është kopsitur. Madje vetë Ilir Meta ka thënë nëpër intervistat e fundit duke konfirmuar se Kastriot Ismailaj dhe Elvis Mataj e kanë fundosur në SPAK. “Kastriot Ismailajn e njoh që në fillim të viteve 90. Sot nuk kam asnjë marrëdhënie. Ismailaj mund të thotë çdo gjë që të shpëtoj veten. Elvis Mata është një mashtrues që ka qenë drejtor i Ismailajt, që u përdor kundër tij më pas nga Damiani e prokuroria, me qëllim të fitonte pala tjetër. Ky person kishte edhe gruan me probleme, se unë çdo gjë e them me përgjegjësi, dhe vjehrra e tij ka marrë tendera nga Damian Gjiknuri. Nuk më intereson fare se çfarë dëshmon Ismailaj. Meta është kristal i pastër në këtë çështje. Ata merren me këto çështje se ata nuk kanë fuqi të merren me Edi Ramën, e shumë çështje të tjera. “5D” nuk janë gjë farë, do shikoni ato 5 drejtoreshat ju”, u shpreh Meta. Por nuk janë vetëm këta dy dëshmitarë që janë zbrazur për korrupsionin e Ilir Metës në këtë aferë. Janë edhe dy dëshmitarë të tjerë. Thuhet se Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ ka folur dhe ka thënë që Kastriot Isamilajn na e solli Ilir Meta. Dëshmia tjetër është e Vojsava Ismailajt.
Juristi nxjerr detajet e forta
Lidhur me këtë situatë gazeta “SOT”, ka kontaktuar juristin Romeo Kara, i cili ka thënë se dëshmitarët kanë rrëfyer çdo gjë për Ilir Metën, nga kontratat, deri te udhëtimet. “Ka dëshmi të Jozef Hejsek që Ismailajt i është dhënë kontrata DIA-CEZ si një person me lidhje të afërta me Metën dhe Berishën. Ka video ku çifti Meta-Kryemadhi kanë qenë në festa familjare të Ismailajt. Ka udhëtime të përbashkëta të tyre në Pragë. Ka dhe një intervistë të Vojsava Ismailajt ku rrëfen çdo gjë për Metën, siç kemi gjithashtu edhe dëshminë e Elvis Matajt për sa më sipër. Pra, Meta po sillet si i pandehur, i kompleksuar dhe tërësisht mohues i realitetit që tashme e dinë të gjithë dhe është faktuar dhe provuar në kallëzimin tim dhe nga organi i akuzës”, u shpreh juristi Romeo Kara për gazetën “SOT”. Pra ndjekja e çdo fije rrethe aferës CEZ-DIA të çon pikërisht tek Ilir Meta.
Jozef Hejsek: Ismailajn na e rekomandoi Ilir Meta
Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka deklaruar se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje. Jozef Hejsek ka dëshmuar se Ismailaj u trajtua si njeriu i qeverisë shqiptare për mbledhjen e borxheve të vjetra, pasi u prezantua si aleati i ngushtë i ministrit të Punëve të Jashtme në atë kohë, Ilir Meta dhe i ish-kryeministrit Sali Berisha nga ambasadori shqiptar i asaj kohë në Pragë, Qazim Tepshi. Jozef Hejsek ë bëri këtë dëshmi më 26 tetor 2014 në Pragë për llogari të avokatëve të studios ligjore të OSHEE-së, Clifford Chance, në kuadër procesit të arbitrazhit që po zhvillohej në gjykatën e Vjenës, ku kompania e Kastriot Ismailajt, Debt International Advisory, kërkonte 130 milionë euro dëmshpërblim për prishjen e kontratës nga OSHEE, pas largimit të CEZ. Hapja e procesit penal në Tiranë detyroi Kastriot Ismailajn që të tërhiqej nga arbitrazhi.
Rrëfimi i Vojsava Ismailajt që trondit Metën
Në dëshminë e dhënë për gazetarin Fatos Mahmutaj, në tetor 2017, videon të cilën e disponon SPAK, Vojsava Ismalilaj thotë se Ilir Meta, si pjesë e pushtetit të Berishës, ka ndikuar që ERE të ulëte çmimin e energjisë që KESH ia shiste CEZ, ndërsa CEZ ua shiste shqiptarëve. Në dhjetor të vitit 2010 ERE uli çmimin e shitjes së energjisë nga KESH tek CEZ me 27 për qind; nga 2.03 lekë në 1.48 lekë. Ky vendim u mor nga ERE në dhjetor të vitit 2010, pasi DIA ishte paguar 1.48 milionë euro nga CEZ. Kujtomë që në shtator 2010, CEZ kishte hyrë në partneritet me DIA për të mbledhur faturat e papaguara të energjisë elektrike. Vojsava Ismalilaj thotë se Ilir Meta i kërkoi Kastriotit që t’i kërkonte CEZ shpërblim për këtë favorizim. Gjithashtu, Vojsava Ismalilaj thotë se Meta i kërkonte Kastriotit shuma të mëdha eurosh. Sipas saj, Kastrioti kishte lidhje me Metën që kohën e krijimit të FRESH. Vojsava Ismalilaj hedh dyshime të forta se Ilir Meta fshihet edhe pas mbylljes së kompanisë DIA dhe tërheqjes së Arbitrazhit pasi kishte plasur skandali. Ajo flet për lidhje mes Ilir Metës dhe Rebeka Gaski Gai, përfaqësuesja ligjore e DIA-s. Vojsava Ismalilaj thotë se Rebeka Gaski Gai ka qenë në Tiranë në nëntor 2014, ku është takuar pikërisht me Majlind Lazimin, djali i hallës së Monika Kryemadhit, ish drejtor i LSI-së në krye të Postës. Dhe në fakt Majlind Lazimin rezulton se ka udhëtuar edhe me vetë Kastriot Ismailaj. Më pas, sipas saj, Lazimi e ka çuar Rebeka Gaski Gai në takim tek shtëpia e Ilir Metës. Më pas, në skenë del Arjan Laçi, i cili sipas Vojsava Ismalilaj e ka çuar Rebeka Gaski Gai në takim tek ministri Gjiknuri dhe kryeprokurori Adriatik Llalla. Arjan Laçi ishte ortaku i Kastriot Ismailaj, i cili ka tërhequr edhe para nga llogaritë e DIA-s. Sipas Vojsava Ismalilajt, Ilir Meta, prokuroria, Rebeka Gaski Gai dhe Arjan Laçi kanë bashkëpunuar për të bërë ‘kurban’ Kastriot Ismailajn, me qëllim për ta mbyllur historinë e korrupsionit, për të shpëtuar vetë Meta, Rebeka Gaski Gai dhe Arjan Laçi, të cilët kishin qenë bashkëpunëtorë me Kastriotin. Pas këtyre lëvizjeve, Vojsava Ismalilajt thotë se në 1 dhjetor 2014, Rebeka Gaski Gai ndryshon administratorin e DIA-s, duke vendosur Ali Cenën, i cili pezullon kompaninë. Më pas, Rebeka Gaski Gai tërheq DIA-n nga Arbitrazhi pa vullnetin e Kastriot Ismailajt. Nuk dihet nëse SPAK do t’i administrojë këto deklarata të Vojsava Ismalilajt dhe të kryejë në hetim nëse përputhen me veprimet në terren. Pra, dëshmia e Vojsava Ismalilajt është në sinkronë me dëshminë e Jozef Hejsek, i cili ka deklaruar se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Gjithashtu, avokatët që përfaqësonin OSHEE-në në arbitrazhin ndërkombëtar në Vjenë, pretenduan se kishin prova që Ilir Meta kishte ryshfet nga biznesmeni i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, Kastriot Ismailaj. Po ashtu, dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Meta, më pas armiku i tij më i përbetuar, ka rrëfyer se Meta ka udhëtuar pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë.
Meta mesazh Ismailaj: Më duhen 200 mijë patjetër
Në qershor të 2019, Ilir Meta, një ditë para zgjedhjeve te 2009, i kërkon me urgjencë Kastriot Ismailaj një shumë prej 200 mijë euro. Një ditë para zgjedhjeve parlamentare në 22 qershor 2009, Meta i thotë Kastriotit në orën 17:57 me një SMS me tekst: “Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”. Mesazhi doli në pah nga një dosje e prokurorisë për krimet zgjedhore, gjatë përgjimeve, ku doli në skenë Kastriot Ismailaj. Mesazhi, konfirmon edhe një herë se Kastriot Ismailajt ishte thjeshtë maska e Metës në afër CEZ-DIA.
