Shqipëri pritet që të ketë zhvillime të bujshme. Nga analistë, gazetarë, deputetë dhe ekspertë janë paralajmëruar arrestime të shumta, ndër ta Ilir Meta, por edhe Monika Kryemadhi, si edhe zyrtarë të lartë të Bashkisë Tiranë. Gjithashtu flitet se Meta ka paguar një prokuror për të shtyrë fletë-arrestin. Nga ana tjetër, thuhet se ekziston një përgjues në duart e italianëve ku kanë dalë politikanë dhe trafikantë në një tavolinë.
Arrestimi i Ilir Metës
Si fillim ishte analisti Ardit Rada bëri deklaratën e bujshme se Ilir Meta mund të arrestohet. Madje ai nuk përjashton mundësinë se do ndodhë në fundjavë. “Sot, Ilir Meta dhe Sali Berisha po e shfrytëzojnë kredon politike veç për të shpëtuar veten nga drejtësia dhe këtë e zbardh drita e diellit aq sa po na verbon. Ata bëjnë sikur nuk e kuptojnë që shumica e popullit është dakord që të dy të mbyllen mundësisht te ‘7 penxheret’ e Gjirokastrës se burgu i Reçit ofron luks të madh për ta. Dhe kjo shumicë është shumë më e madhe sesa ajo që voton Edi Ramën. Është shumica e çdo sondazhi që e nxjerr SPAK institucionin më të besuar në vend me mbi 73% mbështetje popullore edhe pas arrestimit të Berishës, edhe pas lajmeve për arrestimin e Metës. Sigurisht kjo shumicë s’është organ akuze që të sigurojë prova, por kur dikush i autorizuar ta bëjë këtë rol, kjo shumicë është kail më shumë të protestojë për mbijetesën e rinocerontit të Xhavës sesa për të nxjerrë këta të dy nga qelitë. Ndaj edhe luftën e kanë përqendruar te drejtësia se po shkoi puna gjer te qelia, do t’u hidhen çelësat në det e s’ka burrë nëne t’i gjejë më. Të ndodhur në këto kushte Berisha dhe Meta e kanë thelluar garën me njëri-tjetrin deri ditën e zgjedhjeve, si garanci se fituesi i ri brenda opozitës gëzon a-priori edhe një farë imuniteti. Ilir Meta i ka çuar një mesazh Sali Berishës se në datë 27 Prill pas Konventës së çetës së tij politike, do t’i çojë poshtë ballkonit mijëra njerëz. Kjo do të thotë se mijërat e Ilir Metës që do t’i gjezdisi nëpër Tiranë gjer të rruga ‘Mustafa Matohiti’ është një tregues force ndaj vetë Sali Berishës. Një, si të thuash, tregues se: Tani që ti ngele brenda prej mendve të Genc Gjokutajt, anëtarit të Kryesisë së partisë time, unë jam lideri i opozitës. Mijërat e mi janë më shumë se dhjetrat e tu që të mblidheshin poshtë dritares deri ditën e Bajramit. Por s’ka asnjë shqetësim publik për këto mesazhe mes të njëjtit lloj kur mendon se këtë sjellje pati edhe Berisha ndaj Bashës, Bardhi ndaj Nokës, Kokalari ndaj Këlliçit e kështu me radhë. Pra një shfaqje e vjetër me regji po aq të vjetër. Mesazhet makiaveliste janë të vetmet gjëra që qeveria e bllokut të 21 Janarit ofron pa lekë. Sot, shqetësimi i vetëm është se, a do ta zërë e shtuna e 27 Prillit Ilir Metën jashtë? SPAK arreston fundjavave, siç tha Milaim Zeka dje. Po se cilën fundjavë e dinë ata matanë Atlantikut që e duan Shqipërinë më shumë se Saliu dhe Iliri. Pavarësisht se i kanë çuar fëmijët jashtë, si për të mos i bërë më shumë zullume këtij vendi!”, shprehet ai ndër të tjera në shkrimin e tij.
Prangat në fundjavë
Në këtë linjë ishte dhe gazetari Milaim Zeka, i cili është shprehur së fundmi se arrestimet e mëdha ndodhin fundjavave. “E kam informacionin që arrestimet e mëdha bëhen fundjavave. Më vjen keq për 2 njerëz. Që Sali Berishës nuk i doli një këshilltar që t’i thoshte në fillim që puna jote më e mira është të presësh ngritjen e akt akuzës nga SPAK dhe të përballet sipas ligjit. Të dalësh në arrest shtëpiak majë ballkonit i jep kredibilitet zotit Rama. Në rradhë të parë nuk ka askënd, ka vetëm 200 veta që ç’mallen me njëri-tjetrin. Kadareja në 1993 më ka thënë diçka në Suedi, Amerika tha është superfuqi edhe kur gabon nuk gabon. Nuk mundet Meta dhe Berisha të fitojnë luftën ndaj Amerikës. Po të isha Dumani, Ilir Meta do e kisha çu në burg vetëm me atë videon që e nxorri Dritan Prifti. Vetëm me marrë deklaratën që tha në parlament nuk jap dorëheqjen për Shkëlzenin. I shpëtoi llafi, tha unë edhe nga burgu do e shkatërroj këtë”, tha Zeka.
Në pranga dhe Kryemadhi
Po ashtu dhe gazetari Artan Hoxha tha se hetimet e SPAK ndaj familjes “Meta” kanë avancuar dhe nuk përjashtoi mundësin që nga çasti në çast ata të mund të arrestohen. “SPAK ka bërë një reagim, ka deklaruar se ende nuk ka kërkesë për masë sigurie ndaj tyre. Kanë qenë 9 kallëzime ndaj tyre, 6 janë rrëzuar, 3 janë pranuar. Dy janë për Kryemadhin, çështja e lobimit dhe hetimi pasuror. Meta ka probleme me dosjen ‘CEZ-DIA”. Ky hetim ka nisur më 20 korrik 2019. Secila nga çështjet ka ecur goxha. Nuk do habitesha nëse SPAK do paraqitej në Gjykatën e Posaçme për të kërkuar një masë sigurie. Meta e di këtë gjë dhe në daljet publike, ai i ka përmendur me emër dëshmitarët kyç që ka për çështjen ‘Cez-DIA’. Meta e di që SPAK-u e ka bërë tentativën për masën e sigurisë”, tha Hoxha.
Ish-presidenti ka paguar një prokuror
Nga ana tjetër, gazetarja investigative, Anduena Llabani, teksa foli për presionet dhe sulmet e politikës, ndaj kreut të strukturës së SPAK, Altin Dumani tha se kryetari i Partisë së Lirisë ka paguar një prokuror në SPAK, duke iu kërkuar shtyrjen e arrestimit të tij. “Meta ka tre dosja në SPAK, jo vetëm CEZ DIA. Politika ka njerëzit e vet në SPAK. Në dijeninë time, Meta kishte paguar një prokuror për të shtyrë arrestimin e tij. Altin Dumani ka kërkuar dosjen e tij dhe ka kërkuar të merret me këtë dosje dhe prandaj Meta ka nisur sulmet”, tha ajo.
Përgjimi në duart e italianëve
Ka qenë po Artan Hoxha që ka treguar së fundmi dhe një takim me një oficer të Guardia di Finanza, i cili i ka thënë se gjatë ndjekjes së trafikantëve dhe përgjimit të tyre, janë surprizuar kur në tavolinë ka qenë një ministër dhe një politikan. Ai tha se oficerët italianë janë shumë prezentë në Shqipëri dhe janë në dijeni për ngjarjet dhe lidhjet e krimit edhe me politikën. “Një oficer drejtues i Interforce, më kërkon takim nëpërmjet një kolegu që punon për mediat e huaja. Takimin e bëmë në Rogner. Ai kishte ndjekur zonat problematike të kanabisit, nisi për këtë histori dhe në bisedë e sipër, oficeri i Guardia di Finanza, më thotë po ndjekim një organizatë kriminale, kemi dyshime që policia shqiptare nuk e godet dhe ne po e bëjmë vetë. Në një moment, më nxjerr një foto, pak e zbardhur dhe më thotë nga dyshimet, një lokal në Gjirin e Lalzit, trafikantët takoheshin me pushtetarë të rëndësishëm dhe kishin vendosur përgjues. Përgjuesit i vendosëm për trafikantët, por aty erdhën politikanët shqiptarë. Më thotë, a i identifikon fotot? I thashë duan që kjo gjë që publikohet, që të bëhet zhurmë. Ai e dintë kush ishte, por për çfarë po ma tregonte? Në foto ishin dy trafikantë të rëndësishëm, të dënuar në Itali, i kishte shpëtuar atje sepse kishin ndërhyrë politikanë shqiptarë. Në tavolinë ishte një ministër dhe një politikan tjetër shumë i rëndësishëm. I thashë këtë foto po ma jep që ta nxjerr unë? Pra italianët janë shumë prezentë në Shqipëri. Detyra funksionale e tyre është që të skanojnë territorin, të tregojnë dhe të ndihmojnë Shqipërinë. Në rastet kur kemi të bëjmë me organizata që kanë aktivitet shumë të rëndësishëm, të bashkëpunojnë për ti goditur në të gjithë vendin. Italianët thonë nuk i sjellim dot të gjithë informacionet, sepse nuk kemi besim”, tha Hoxha.
Gati goditje të tjera
Gjithashtu dje u paralajmërua se në Bashkinë e Tiranës do të ketë të tjera arrestime për aferën “5D” dhe korrupsionin e drejtorëve të kryebashkiakut Erion Veliaj. Këtë paralajmërim e bëri Belind Këlliçi. “Sipas të dhënave që unë kam do të ketë procedime të reja, do të ketë arrestime të reja në lidhje me këtë aferë dhe për herë të parë qytetarët e Tiranës kanë një revoltë, e cila është e pahasur më parë dhe kërkojnë largimin e menjëhershëm, dorëheqjen dhe çuarjen përpara drejtësisë së një kryetari bashkie, siç është Erion Veliaj. Është hera e parë që ndodh, nuk ka ndodhur as me Edi Ramën, as me Lulzim Bashën, as me zotin Brojka, as me zotin Sali Kelmendi, nuk ka ndodhur me askënd kjo që ka ndodhur me Veliajn”, u shpreh ai.
