Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Rusia po drejton një fushatë dezinformimi për të minuar Lojërat Olimpike të Parisit.
Në inaugurimin e një qendre të re olimpike noti, Macron u shpreh për mediat se “çdo ditë Rusia po nxjerr histori duke thënë se ne nuk jemi në gjendje të bëjmë këtë apo atë, kështu që lojërat do të ishin në rrezik.”
Qeveria franceze thotë se Rusia kohët e fundit ka shtuar sulmet propagandistike ndaj Francës, duke përdorur llogari të rreme në mediat sociale për të përhapur thashetheme dhe dezinformata.
Kjo pason kalimin e Macron në një politikë më të ashpër për luftën në Ukrainë, për të cilën ai nuk refuzon më të përjashtojë dërgimin eventual të trupave franceze në anën e Kievit.
Franca beson se inteligjenca ruse qëndron pas goditjes së Yjeve izraelite të Davidit në muret e Parisit, pas sulmeve të Hamasit të 7 tetorit, në atë që u interpretua si një përpjekje për të nxitur përçarje në Francë.
Një rrjet uebsajtesh të krijuara nga Rusia me emrin Portal Kombat, akuzohet për përhapjen e historive të sajuara, të tilla si pretendimet se mercenarët francezë po shërbejnë tashmë në Ukrainë, ose se Macron anuloi një udhëtim në Kiev për shkak të frikës së një atentati.
Presidenti konfirmoi për herë të parë se ka plane alternative për ceremoninë e hapjes së Olimpiadës në korrik, nëse kërcënimi terrorist përkeqësohet.
Aktualisht ceremonia e 26 korrikut supozohet të zhvillohet në varka në lumin Seine, me më shumë se 300,000 njerëz që shikojnë nga kalatat. Megjithatë ekspertët kanë paralajmëruar se rasti është shumë i prekshëm ndaj sulmeve terroriste.
“Ne do të jemi gati,” tha ai Macron, duke shtuar se “ne po përgatisim disa skenarë. Nëse kërcënimi do të evoluonte, ne kemi skenarë rezervë”.
