Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha duket se kanë vendosur t’i rikthehen marrëveshjes së vitit 2008, ndërkohë që janë gati të masakrojnë Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të shpëtuar nga burgu veten e tyre dhe bashkëpunëtorët, ku në prapaskenë po thuren skenarë për të zhbërë reformën drejtësi dhe jovetëm. Rama dhe Berisha kanë një marrëveshje të heshtur politike që i ka fillesat që nga viti 2005, kur kreu i qeverisë shqiptare erdhi në krye të Partisë Socialiste. Pakti i fshehtë ende vazhdon dhe tani Rama në pozitën e tij të vështirë që ndodhet së fundmi, duke përmendur skandalet që i kanë plasur dhe presionin ndaj SPAK, i ka varur shpresat e mbijetesës në politikë nëpërmjet fuqizimit të kryefoltoristit. Sa herë që ata kanë nevojë për njëri-tjetrin, shtojnë edhe më shumë akuzat mes tyre. Dhe sinjalet janë të freskëta, teksa Rama po tenton të faktorizoi sërish Berishën, i cili publikisht kishte dalë jashtë loje, por në prapaskenë punonte për kreun e qeverisë. Pa hyrë në thellësi të pazareve të tyre, mjaftojmë të shikojmë thjesht daljen në skenë të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe nënkryetarit të Rithemelimit, Gazment Bardhi, të cilët janë ulur bashkë në tryezën e negociatave. Mësohet se zonja Nikolla dhe Bardhi po përdoren së fundmi nga binomi Berisha-Rama për të konsoliduar raportet me njëri-tjetrin. Po ashtu, mësohet se Partia Socialiste ka vendosur të njohë Rithemelimin e Sali Berishës si opozitës, madje ndaj këtij fraksioni ilegal e anti-amerikan ka vendosur të lëshojë pe, sikundër është plotësimi i kërkesës për ngritjen e komisioneve parlamentare dhe Komisionin e Reformës Zgjedhore. Pra edhe pse Berisha po hetohet nga SPAK për korrupsionin sa i takon aferës së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, ndërkohë që është shpallur “non-grata” nga Londra dhe Uashingtoni, Rama nuk e ka problem ta fusë në sistem (politikë) kreun e Rithemelimit, i cili aktualisht është në “arrest shtëpie”, duke dalë kështu hapur kundër aleatëve, veçanërisht SHBA-ve dhe drejtësisë së re. Thënë troç Berisha dhe Rama janë gati të zhbëjnë reformën drejtësi dhe çfarë do lloj reforme, për t’iu shpëtuar prangave, duke qenë se herët a vonë ata do të hyjnë në kudhrën e Prokurorisë Speciale (SPAK), pasi do t’ju duhet të japin llogari për aferat korruptive e kriminale ku dyshohet se janë përfshirë. Kështu që po përdorin çdo kartë për të shpëtuar veten dhe bashkëpunëtorët e tyre që duhet theksuar kanë rënë në radarët e SPAK.
Pazaret mes Ramës dhe Berishës
Megjithatë më poshtë gazeta ka sjellë një “skaner” të ngjarjeve historike ku dhe njeriu më “naiv” kupton qartë se mes dyshes Rama-Berisha ka patur pazare që qëndrojnë dhe tani. Si fillim po tregojmë faktet që vërtetojnë se mes tyre ka pazare sekrete. Rama ka 10 vite në pushtet dhe deri më tani nuk ka gjetur një vjedhje apo një abuzim të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ta kallëzojë atë penalisht. E përmendim këtë pasi kur kreu i qeverisë shqiptare ishte në opozitë, fliste për akuza të rënda deri edhe te vrasjet për Sali Berishën. Gjithashtu para pak ditësh, Rama sulmoi SPAK për 21 janarin ku u vranë 4 protestues dhe e ka cilësuar këtë institucion si të paaftë. Po çfarë kallëzimi kë bërë Edi Rama në adresë të Berishës në këto 10 vite? Asnjë. Dhe nuk ka ndërmend të zbulojë asnjë fakt, pasi preket marrëveshja e heshtur mes tyre.
“Gërdeci”
Le ta fillojmë me Gërdecin. Më 15 mars 2008, në depot e demontimit të municioneve në Gërdec, ndodhi një shpërthim që brenda një kohe të shkurtër u kthye në tragjedi, duke marrë jetën e 26 njerëzve. Kjo ngjarje i dha qeverisë Berisha goditjen më të rëndë gjatë mandatit të parë. Atë ditë kur në Spitalin Ushtarak vinin trupat e gjakosur nga shpërthimi i municioneve në Gërdec, kryetari i PS-së Edi Rama, i shoqëruar nga deputetë të partisë së tij, nga më kritikët ndaj qeverisë, siç ishte Erjon Braçe, u shfaqën në krah të Berishës për ta mbështetur në këtë situatë të rëndë që po kalonte vendi. Rama vendosi dorën e tij mbi shpatullat e Sali Berishës dhe gati sa nuk i fshiu lotët. Mesazhi ishte i qartë: “Jemi bashkë në krime dhe në vjedhje, në kapjen e drejtësisë dhe në shfajësime, në alibi dhe manovra dhe asgjë nuk do të ndodhë. Mos u mërzit pasi asgjë nuk do të ndodhë”. Dhe në fakt ashtu u bë. Për gjithë këto vite, Rama nuk lëvizi gishtin për ndëshkimin e Berishës.
Marrëveshja e 2008
Nga ana tjetër, mesnatën e 21 prillit 2008, Sali Berisha kryeministër e kryetar i PD dhe Edi Rama kryebashkiak i Tiranës e kryetar i PS, bënë një pazar privat për ndryshimin e Nenit 68 të Kushtetutës, duke krijuar sundimin personal në parti, parlament e qeveri. Berisha e Edi Rama, miq, ortakë e bashkëpunëtorë të hapur e të maskuar, në shumë fshehje, mbrojtje e amnisti krimesh dhe aferash korruptive të njëri-tjetrit, sajuan seancë të posaçme parlamentare, për të caktuar në Kushtetutë, që deputetët, nuk duhet t’i zgjedhë populli, por vetëm kryetarët e partive me listë dhe këtë krim anti-parlamentar, deputetë-lolot e PD-PS e votuan për 6 minuta. Bëhet fjalë, për Ligjin Nr. 9904, datë 21.04.2008, miratuar nga Bamir Topi, me Dekret Nr. 5700, datë 06.05.2008, me të cilin prej vitesh, deputetët nuk propozohen, nuk miratohen e nuk përzgjidhen nga populli, por nga Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Metaj, Monika Kryemadhi, dhe kryetarët e partive, që marrin pjesë në zgjedhje. Ky pazar anti-kushtetues i ka kthyer partitë, shtetin, qeverinë, presidencën e parlamentin, në “kulla” private e pazare hajdutësh dhe shpella krimi, u kundërshtua nga Ilir Metaj me 11 orë grevë urie e sulm me vazo dhe karrige kundër Sali Berishës e Jozefina Topallit, por pasi e “shijoji” këtë ligj, heshti dhe nuk pranon anulimin e tij. E veçanta e pazarit Berisha-Rama, është hipokrizia e Edi Ramës ndaj krimeve monstruoze e ç’njerëzore të Sali Berishës, që provohet nga fakti, se Rama e ka pranuar, firmosur e votuar këtë ligj famëkeq, në datën 21 prill 2008, vetëm 36 ditë, pas tragjedisë së Gërdecit me 26 viktima, të vrarë në biznesin kriminal shtetëror të familjes “Berisha”.
“21 Janari”
Ngjarja që të gjithë menduan se Berisha do të shkonte në burg ishte 21-janari, me vrasjen e 4 protestuesve përpara Kryeministrisë. Deklaratat e Ramë se kur të vinte në pushtet do e çonte në burg Berishën i bënë njerëzit që të besonin se për të ishte fundi. Edhe pse ka tre mandate, qe qëndron në pushtet edhe prej sakrificës sublime të Ziverit, Faikut, Hekuranit dhe Aleksit, por nuk të hetoi kurrë ashtu si pati premtuar para gjithë shqiptareve. Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Garda e Republikës, Shërbimi Sekret Shtetëror janë nën kontrollin e Ramës prej 10 vitesh, por çuditërisht nuk gjetën dot asnjë provë për të ndëshkuar vrasësit e 21 janarit.
Loja me PD
Rama me dyshen Berisha-Meta, kishin si qëllim denigrimin e PD për të goditur Lulzim Bashën. Në tentativat për të nxjerrë jashtë loje Bashën u fut dhe kryeministri Rama duke ndihmuar Berishën sa herë kur ky i fundit kishte nevojë. Këtë gjë e nxori zbuluar skandali i korruptimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, ku është përfshirë dhe pala shqiptare. Hapja e kësaj dosjeje ka krijuar një perceptim tjetër në Tiranë për Lulzim Bashën. Deri dje ish-kryetari i Partisë Demokratike akuzohej se kishte marrë fonde nga një oligark rus, por në dritën e skandalit të ri të ish-zyrtarit të FBI, del se gjithçka ishte kurdisur nga qeveria shqiptare për të shkatërruar PD-në e zotit Basha. Në ndihmë të Ramës ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta. Berisha kërkonte të përdorte si mburojë Partinë Demokratike në luftën e tij personale me amerikanët, por edhe ekzistencën e tij në politikë. Nga ana tjetër, Meta ka ndihmuar Berishën për të rrëzuar Lulzim Bashën në mënyrë që në fund të rrëmbenin opozitën. Ramës i interesonte dalja jashtë loje e Bashës, në mënyrë që të ketë përballë Sali Berishën, aleatin e tij “të fshehtë”. Gjithë këto pazare morën fund në 3 mars dhe kjo ishte falë ndërhyrjes së amerikanëve.
Kapja e drejtësisë
Marrëveshja e Berishës dhe Ramës përfshinte më kryesoren, kapjen e drejtësisë. Të dy kanë patur në duar fuqinë për të nisur hetimet për njëri-tjetrin me skandale që kanë plasur sheshit, por gjithmonë janë mbyllur pa zhurmë. Së fundmi të dy janë alarmuar nga drejtësia e re me presionin e SHBA nga pas. Pra bë ndihmë të Ramës ka qenë gjithmonë ish-kryeministri Sali Berisha, dy politikanë që po mbajnë njëri-tjetrin në skenën gjysmë të rrëzuar të politikës, me shpresën se pa njërin, as tjetri nuk do e ketë më të gjatë.
