Lindita Nikolla shndërrohet në “kukull” e aleancës së “non-gratave”, kthen Berishën në Parlament, zbardhen detajet nga takimet e fshehta në Kryesinë e Kuvendit me Bardhin, ja pazaret mes tyre

Data

Avokati më i fortë i ish-kryeministrit Sali Berisha sot për sot është kryeministri Edi Rama. Edhe pse bëjnë sikur zihen dhe janë armiq të përbetuar, Rama është njeriu më i interesuar që Berisha i vendosur në “arrest-shtëpie” dhe i shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britani e Madhe të mos dalë në pension, por të vazhdojë sa të ketë frymë të jetë në politikë, pse jo edhe kryetar opozite. Nëse amerikanët dhe britanikët e përzunë Berishën me “shkelma” nga politika, kryeministri Rama po tenton të përdorë kryeparlamentaren Lindita Nikolla që ta fusë plakun “non-grata” në sistem nga dritarja nëpërmjet “karremit” Gazment Bardhi, ku ka zëra se çetës anti-amerikane do t’i jepet e drejta për të ngritur komisione parlamentare dhe bashkë drejtimi i “Zgjedhores”. Përgjatë gjithë kohës së saj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla nuk diti asnjëherë që të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të pozicionit të lartë shtetëror. Në vend që ta drejtonte Parlamentin me profesionalizëm dhe të shndërrohej në kryetare të të gjithëve, ajo asnjëherë nuk arriti dot të shkëputet nga hija e Edi Ramës, duke u shndërruar në një mashë të interesave politike të Partisë Socialiste.

Marrëveshjet e fshehta

Ndonëse e ka bërë në vazhdimësi, thirrja e Gazment Bardhit një ditë më parë dhe ftesa për pazar e zëvendësit të “non-gratës” duket si qershia mbi tortë e bindjes së saj të verbër ndaj shefit të saj politik, Edi Rama. Në kushtet, kur qëndrimi i ambasadorëve të vendeve partnere në Tiranë është i qartë ndaj bashkëpunimit me “non-gratën” dhe në situatën kur Berisha sulmon mëngjes e mbrëmje sistemin e drejtësisë, SPAK-un dhe GJKKO-n, ndërsa Gazment Bardhi dhe deputetët e tjerë e duartrokasin poshtë ballkonit të tij, të thërrasësh mbledhjen e kryetarëve të grupeve të partive politike, në një kohë kur Bardhi nuk është as formalisht anëtar i PD-së, është jo vetëm një veprim i pamenduar politik, por, mbi të gjitha, është t’i shpallësh luftë SPAK-ut dhe GJKKO-së, duke ulur në tryezë pikërisht anatemuesit më të mëdhenj të sistemit të drejtësisë. Një gjë e tillë, nuk është asgjë më shumë vetëm se të dorëzohesh para “non-gratës” dhe t’i ulësh ata në tavolinën e bisedimeve. Në një kohë që amerikanët dhe britanikët e nxorën Sali Berishën nga dera kryesore e politikës, për interes të Edi Ramës dhe të PS-së, Lindita Nikolla po e fut atë nga dritarja e pasme e Parlamentit. Pra është e qartë se një gjë e tillë, bëhet për të mbajtur në lojë të patrazuar Edi Ramën, sepse përballë “non-gratës” së Berishës, ai vijon pushtetin i pa shqetësuar, mirëpo një gjë e tillë nuk është as politike, as e moralshme. Aq më tepër në një kohë kur PS dhe Rama vetë kishin deklaruar se nuk do të kishin asnjë bisedim dhe asnjë kompromis me të dizenjuarit “non-grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe. Kështu që e gjitha kjo tregon hallin e madh në të cilin gjendet Rama pas thirrjes së disa prej ministrave të tij më të rëndësishëm në SPAK, kështu që në këtë rast Lindita Nikolla thjesht po i zgjidh hallin e madh padronit të saj politikë.

Bardhi konfirmon pazaret

Ndërkohë dje gjatë një reagimi për mediat, nënkryetari i Rithemelimit, Gazment Bardhi pohoi negociatat me Partinë Socialiste. “Kemi qenë dhe mbetemi për dialog politik me mazhorancën, me të vetmin kusht respektimin e kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Si kryetar i grupit parlamentar të PD kam qenë dhe jam në komunikim të vazhdueshëm me institucionet brenda Kuvendit të Shqipërisë. Nuk i jam shmangur kurrë përballjes në këtë drejtim”, deklaroi ai. Bardhi shumë detaje nuk dha për negociatat që po bëhen për kërkesën tjetër të tij, për të zëvendësuar Enkelejd Alibeajn si bashkëkryetar të Komisionit të Reformës Zgjedhore, komision të cilit mandati i mbaron brenda muajit. Por gazeta “SOT” ka mësuar se po tentohet të krijohet një tjetër nënkomision me afat derisa Reforma Zgjedhore të konkludohet, në të cilin Bardhi kërkon të përfaqësohet me më shumë numra se Basha. “Unë besoj se gjithëpërfshirja dhe konsensusi, si dhe respektimi i përfaqësimit real të opozitës sa i takon Reformës zgjedhore, ka qenë dhe mbetet një kërkesë e drejtë e opozitës. Pra kërkesa jonë lidhet me të drejtën e përfaqësimit real të opozitës në këtë proces dhe sigurisht që asaj kërkese i qëndrojmë”, nënvizoi dje Basha.

Reagon PD zyrtare

Nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar dje pas negociatave mes PS dhe krerëve të grupeve parlamentare, përfshirë këtu edhe Gazment Bardhin. Në një reagim për mediat, Alibeaj shkruan se PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur që të bëjë Pazar për Reformën Zgjedhore. Ai thekson se në emër të PD nuk mund të flasin të emëruarit e Ramës, duke nënkuptuar këtu grupin e Rithemelimit. “Dy sqarime që publiku ka nevojë t’i dijë lidhur me negociata sekrete apo marrëveshje okulte të përfolura në media: PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore. Në media referuar burimeve nga PS dhe grupi i Sali Berishës, është bërë e ditur se ka një dakordësi për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që çështja të kalojë në Komisionin e Ligjeve ku socialistët kanë vendimmarrjen me shumicë votash e sidomos ku opozitës i mohohet e drejta e Vetos, si garanci që PS të mos bëjë ligj zgjedhor të njëanëshëm duke peshkuar vota opozitare. Dihet se ata janë kundër votës së diasporës, votimit elektronik, listave të hapura, një zone elektorale. Nëse kjo është e vërtetë ky është një pazar në kurriz të shqiptarëve dhe për interesa të dy individëve që duan të mbajnë peng Shqipërinë, Rama dhe Berisha; Në emër të PD nuk mund të flasë asnjë i emëruar apo i dëshiruar i Edi Ramës”, thuhet në reagim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related