Seanca në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për ish-kryeministrin Sali Berishën i akuzuar për korrupsion dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi u shty dje për në 12 mars ora 15:00. Shkak u bë kërkesa e avokatëve për t’u njohur me informacionin e depozituar gjatë 2 muajve dhe ecurinë e hetimeve nga ana e SPAK. Edhe në këtë seancë, si në disa të tjera të kaluara, mbrojtja kërkoi përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Irena Gjoka. Avokati Genc Gjokutaj deklaroi para mediave se gjyqtarja Gjoka ka bërë shkelje të rëndë duke u dhënë më mediave vendimin për kërkesën e Berishës për të marrë pjesë në Kuvend, para se me të të njihej mbrojtja. “Ajo që më bëri përshtypje është se ishte i njëjti format njoftimi për Berishën, herën tjetër e shtyu, sot e vijoi duke pasur të njëjtin informacion. Kërkesa e parë ishte përjashtimi i Gjokës, një nga arsyet është nxjerrja e vendimit për dhënien e lejes së Berishës për Kuvend, dhënia e këtij vendimi mediave para se mbrojtja të njihej me vendimin. Kërkuam dhe do kërkojmë që të hetohet deri në një, se dalja e akteve ep procedurale para se tu jepet palëve përbën shkelje të rëndë. Kjo gjykatë ka rrëzuar kërkesën për pjesëmarrjen e mediave, ne kemi kërkuar të jenë prezent për transparence. E ka refuzuar se nuk i do në sallë gazetarët, pro komunikon prapa kuintave me ta”, deklaroi ai. Më tej avokat Gjokutaj zbuloi se mbrojtja ka dorëzuar po ashtu një akt ekspertimi kontabël, që sipas tij, tregon se nuk ka gjetje as për pastrim parash dhe as për korrupsion, ashtu siç pretendon Prokuroria. “Më datë 15 e lamë për t’u shqyrtuar kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Kemi dorëzuar akt ekspertime kontabël që shpjegon historinë e zotit Jamarbër Malltezi. Janë të shpjeguara në kohë dhe të gjitha lëvizjet monetare. I jep përgjigje dhe bashkëpunimit me zotin Berisha siç pretendon SPAK. Kjo është një çështje sa absurde, por ndonjëherë do më shumë kohë. Duam të provojmë që procedura ka qenë në rregull, nuk ka pastrim dhe as element korruptiv. Shtyrja e sotme ishte rrjedhojë logjike e kërkesës sonë për përjashtimin”, nënvizoi avokati Genc Gjokutaj.
Detajet nga dosja “Partizani”
Seanca tjetër ku do të kërkohet edhe njëherë revokimi i masës së sigurisë për të dy palët, do të mbahet të Martën në orën 15:00. Ndërsa gjatë kësaj kohe do të shqyrtohet edhe kërkesa e radhës për përjashtimin e gjyqtares Gjoka. Ish-kryeministri Sali Berisha i cili ndodhet në arrest shtëpie, akuzohet për korrupsion, vepër që parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg. Ai akuzohet se ka shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, për t’i dhënë një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili e ktheu atë në një kompleks banimi me 17 kulla, duke marrë më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall. Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor dhe më pas u la në arrest shtëpie. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i Partizanit, për të ndërtuar më pas komplekse banimi
Reagon GJKKO
Ndërkohë Gjykata e Posaçme reagoi dje pasi vendosi të shtynte sërish seancën ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, të cilët nuk u paraqitën në gjykatë, por u përfaqësuan nga avokatët e tyre. Sipas GJKKO, ish-kryeministri ka refuzuar sërish të firmosë fletëthirrjen dhe u ka thënë oficerëve të policisë gjyqësore se nuk do të paraqitet personalisht në gjykatë, por do të përfaqësohej nga avokatët e tij. “Gjykata pasi kreu verifikimin e paraqitjes së palëve, konstatoi se nuk ishin paraqitur personalisht, kërkuesi/i hetuari Sali Berisha dhe kërkuesi/i hetuari Jamarbër Malltezi. Referuar akteve respektive të njoftimit të depozituara nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore, Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, rezultoi se shtetasi nën hetim Sali Berisha, i cili ndodhet me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi” kishte refuzuar sërish të firmosë fletëthirrjen, por duke shprehur verbalisht që nuk do të paraqitet personalisht në gjykatë por do të përfaqësohet nga avokatët e tij, dokumentuar nëpërmjet raportit të shërbimit të policisë gjyqësore. Po kështu, edhe për kërkuesin/të hetuarin Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi”, rezultoi e dokumentuar dijenia e tij për datën dhe orën e zhvillimit të seancës gjyqësore, ku në fletëthirrjen respektive të firmosur nga ana e tij ka shprehur vullnetin për të mos marrë pjesë personalisht në gjykim, duke u përfaqësuar nga mbrojtësit. Për sa më sipër, gjykata e konsideroi njoftimin si të kryer, duke qenë se rezultoi i shprehur edhe vullneti i kërkuesëve/të hetuarve lidhur me të drejtën për të mos marrë pjesë në gjykim (ndodhur në kushtet e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” ) dhe vijoi gjykimin në mungesë të kërkuesëve/personave nën hetim Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, duke u mbrojtur interesat e këtyre të fundit nga ana e avokatëve respektivë. Në këto kushte, Gjykata vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën për në datën: 12.03.2024, ditë e martë, ora 15.00, për t’i dhënë kohë mbrojtësve për tu njohur me informacionin me shkrim si dhe provat e paraqitura nga ana e prokurorisë, si dhe njëherazi kjo kohë do të shërbejë edhe për shqyrtimin e kërkesës për përjashtimin e trupit gjykues monokratik”, thuhet në njoftim.
