Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Metaj dhe ish-kryeministri Sali Berisha konfirmuan veten si “këlyshë” të grekëve. Ti ofrosh shqiptarëve për t’i drejtuar një personash si Beleri të dënuar me burg për korrupsion si dhe të hetuar për vrasjen e dy bij nënash ushtarë në Masakrën e Peshkopisë (dosje e zhdukur në vitet 97), vetëm dy personazhe anti-shqiptarë, si Ilir Meta dhe Berisha e bëjnë. Dje ata kanë marrë në mbrojtje hapur Belerin, i cili u dënua nga drejtësia me dy vite burg. I pari ishte Meta, i cili mori një qëndrim krejtësisht tjetër për mosndërhyrjen në punët e drejtësisë kur vjen puna për rastin “Beleri”. Kur ai u pyet për çështjen e Fredi Beleri ai e mori atë në mbrojtje dhe sulmoi institucionet e reja të drejtësisë, duke i quajtura të kapura nga Edi Rama. “Çështja Beleri është problem thelbësor dhe skandaloz i vetë mungesës së demokracisë në Shqipëri, është treguesi më flagrant i kapjes së shtetit, i përdorimit kriminal të shtetit nga kryeministri. Kryeministri ka kapur policinë, prokurorinë, gjykatat, përdorimi i dëshmitarëve të rremë dhe bllokimi i betimit të tij është antikushtetues. Fredi Beleri u rrëmbye në mënyrë mafioze nga policia e Edi Ramës. Ai fitoi zgjedhjet dhe duhet të ishte kryebashkiak i Himarës. Për shkak të këtyre padrejtësive, çështja ka marrë jehonë më të madhe. Kryeministri Rama ka kapur për fyti drejtësinë. Sa i përket çështjes së dënimit ose jo të gjyqtares Irena Gjoka, unë nuk dua të komentoj shumë mediat e huaja. Autoritetet tona kanë thënë se ndaj gjyqtares nuk ka akuzë, por kjo nuk do të thotë se duhet të besojmë autoritetet e shtetit tonë, që janë të kapura. Nuk është hera e parë që ndodh që funksionarë të lartë të maxhorancës apo të shtetit të kenë probleme me drejtësinë. Kemi rastin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, që edhe pse doli se ishte dënuar, sërish është aty, sepse ka interesa Edi Rama. Ndërsa, akuzat ndaj Berishës janë të fabrikuara totalisht nga një vend i kapur, që synon shkatërrimin e pluralizmit. Është kjo qeveri, që ka lënë pensionistët në mëshirë të fatit”, deklaroi Meta.
Reagon Berisha
Nga ana tjetër, Sali Berisha theksoi se Beleri është dënuar pa prova dhe akuzon kreun e qeverisë, Edi Rama se ka stisur dosjen e tij. “Çdo orë, ditë që kalon dëshmon se sa jetike, vendimtare është për fatin, për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, beteja pa kthim për përmbysjen e regjimit, e narko regjimit të bazuar në aleancën e pushtetit me organizatat kriminale, me korrupsionin dhe vjedhjen e shqiptarëve, me drogën. Çdo ditë regjimi tregon fytyrën e tij të shëmtuar. Nuk ndalet në krimet e tij nga asgjë. Sot ai dëshmoi para shqiptarëve me dënimin e kryetarit të zgjedhur me votën e qytetarëve të Himarës, Fredi Belerit, me dënimin pa asnjë shkak, pa asnjë faj, me dënimin mbi bazën e një dosje të stisur si në kohërat më të zeza të sigurimit të shtetit. Me dënimin e tij, Edi Rama, miqtë e mi, ju faktoi shqiptarëve se pavarësisht se si ju do të votoni, kurrë nuk do të keni atë që doni me votën tuaj. Ky përbën një akt flagrant të këtij armiku të egër të votës së lirë të shqiptarëve. Të dënosh me një proces farsë, një qeveritar të zgjedhur vendor, do të thotë se nuk pranon vullnetin e qytetarëve se dhe drejtësinë e ke shndërruar në një vegël të verbër të pushtetit të krimit”, tha Berisha.
Meta dhe Berisha në një linjë me qëndrimet e Athinës zyrtare
Ish-presidenti dhe Berisha ishin në një linjë dje me Ministrinë e Jashtme të Greqisë, e cila ka reaguar pas vendimit të GJKKO që dënoi me dy vite burg kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. Në reagimin e ministrisë thuhet se “dënimi nga një gjykatë shqiptare ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Heimarrës, Fredi Beleri, intensifikon shqetësimet e shprehura në lidhje me objektivitetin e procesit”. “Dënimi përfundimtar është padyshim joproporcional në raport me masën e veprës së pretenduar”, thekson Ministria e Jashtme greke në njoftimin e saj dhe shprehet “se qeveria greke do të monitorojë nga afër rastin dhe pret një gjykim të drejtë dhe objektiv në shkalla e dytë e juridiksionit”. “Dënimi nga një gjykatë shqiptare ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Heimarës, Fredi Beleri shton shqetësimet e ngritura për objektivitetin e procesit. Dhe kjo për shkak të lëkundjes së prezumimit të pafajësisë për shkak të deklaratave dhe veprimeve të jashtme që mbronin dënimin dhe duke qenë se dënimi përfundimtar është dukshëm joproporcional në raport me masën e veprës së pretenduar. Dhe masa e dënimit, që të mos dalë nga burgu, e pengon kryebashkiakun e zgjedhur që edhe sot të marrë detyrën dhe e mban kandidatin e mundur në krye të bashkisë, pavarësisht vendimit të shprehur të gjykatës muaj më parë që vendosi shkarkimin e tij të menjëhershëm. Zbatimi selektiv i vendimeve gjyqësore dhe zbritja e vendimeve gjyqësore nuk janë në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Qeveria greke do të monitorojë nga afër çështjen dhe do të presë një gjykim të drejtë dhe objektiv në shkallën e dytë të juridiksionit”, thuhet në reagim.
