Mbështetja për bujqësinë, përgjysmohet fondi për fermerët me 8 milionë euro më pak

Data

Qeveria ka miratuar fondin e programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2025. Ndryshe nga viti i kaluar, për 2025-ën janë shtuar përfituesit, por fondi në dispozicion është më i vogël.

Për pasojë, aplikimet e shtuara përgjysmojnë shumën që do të përfitojë mesatarisht një fermer. Me 44 milionë euro në dispozicion, 8 milionë më pak se një vit më parë, sipas ekspertëve është një arsye e fortë se përse është e pamundur të nxitet zhvillimi i mëtejshëm bujqësor dhe blegtoral.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, ‘Për bujqësinë dhe zhvillimin rural’ dhe të ligjit nr.115/2024, ‘Për buxhetin e vitit 2025’, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave vendosi: Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zëri ‘Transfertë në buxhetet familjare’ (llogaria ekonomike 606), përdoret për: rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve bujqësore në mjedise të mbrojtura, të bimëve mjekësore dhe aromatike e të prodhimeve blegtorale, duke ulur kostot nëpërmjet pagesave për sipërfaqe të kultivuar dhe për kafshë të matrikulluara”, – thuhet në vendim.

Ky fond gjithashtu do të përdoret për mbështetjen e fermerëve nëpërmjet pagesave për uljen e kostos për naftën që përdoret, për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike, mbështetjen e formave të kooperimit në bujqësi. Në vendim bëhet me dije se masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë në disa fusha. “Pagesa për gjedh të matrikulluar, në vlerën deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë lopë/ mëshqerrë dhe deri në 5 000 (pesë mijë) lekë/krerë viça për fermer/aplikant, me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë gjedhe.

Për pjesën mbi 50 (pesëdhjetë) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “Shoqëri e bashkëpunimit bujqësor (në vijim SHBB)”. Pagesa, në vlerën deri në 1 200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese) për fermer/aplikant, me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi. Për pjesën mbi 300 (treqind) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status ‘Grup fermerësh’, ose SHBB “, nënvizohet në vendim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related