Autoriteti Rrugor Shqiptar rezulton institucioni me shpenzimet më të larta publike për vitin 2025, duke përqendruar një pjesë të konsiderueshme të fondeve buxhetore në ndërtimin dhe zgjerimin e akseve rrugore në të gjithë vendin.
Gjatë vitit të kaluar, ARRSH ka realizuar pagesa në vlerën e mbi 35 miliardë lekëve, ose rreth 364 milionë euro, një rritje e ndjeshme prej rreth 55 për qind krahasuar me vitin 2024, kur shpenzimet përllogariteshin në rreth 16 miliardë lekë.
Pjesa më e madhe e fondeve është përqendruar te ndërtimi i Korridorit 8, një nga projektet strategjike infrastrukturore të vendit. Aktualisht, punimet zhvillohen në 13 lote të ndryshme, ku 7 segmente janë në aksin Elbasan–Qafë Thanë, ndërsa 6 lote të tjera shtrihen nga Elbasani në drejtim të Rrogozhinës.
Financime të konsiderueshme kanë marrë edhe dy fazat e zgjerimit të superstradës Tiranë–Durrës, një nga akset me qarkullimin më të madh në vend. Paralelisht, fonde janë disbursuar edhe për ndërtimin e rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa, ku punimet vijojnë ende.
Në listën e projekteve më të financuara për vitin 2025 përfshihen gjithashtu ndërtimi i rrugës Fier–Kthesa e Patosit–Fratar, aksi Berat–Ballaban, zgjerimi i rrugës së Ksamilit, ndërtimi i bypass-it të Shkodrës, si dhe rruga Cerenec–Peshkopi.
Pjesë e shpenzimeve janë edhe kontratat për ndërtimin e segmenteve të Unazës së Madhe të Tiranës, e cila u hap për qarkullimin e automjeteve në fund të vitit 2024, por vazhdoi të përthithë fonde edhe gjatë vitit 2025.
Investimet e larta në infrastrukturë rrugore e kanë bërë ARRSH institucionin me barrën më të madhe financiare në buxhetin publik, duke e kthyer ndërtimin e rrugëve në një nga zërat kryesorë të shpenzimeve shtetërore për vitin që lamë pas.
