Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar për situatën në Lindjen e Mesme dhe sulmet e raportuara nga Irani ndaj vendeve të Gjirit Persik, Izraelit dhe interesave amerikane në rajon, duke i dënuar ato me forcë.
Në deklaratën e saj, Spiropali thekson se regjimi i ajatollahëve ka shtypur për dekada popullin iranian dhe ka kontribuar në destabilizimin e rajonit, ndërsa nënvizon se Shqipëria qëndron përkrah aleatëve dhe partnerëve strategjikë në mbrojtje të sigurisë kolektive.
Ajo dënoi çdo sulm ndaj civilëve dhe çdo veprim që rrezikon përshkallëzim të pakontrolluar ushtarak, duke theksuar se siguria e aleatëve dhe stabiliteti rajonal nuk mund të vihen në pikëpyetje.
Spiropali u ndal edhe te situata e qytetarëve iranianë, veçanërisht grave dhe vajzave, duke i cilësuar simbol të qëndresës për liri dhe dinjitet.
Sipas saj, në këtë moment kërkohet maturi diplomatike dhe qartësi morale, ndërsa Shqipëria do të vazhdojë të mbajë qëndrim të qartë kur cenohet liria dhe kërcënohet siguria ndërkombëtare.
