2025, rriten me shpejtësi importet nga Kina, bien me BE-në dhe Turqinë

Data

Shqipëria po rrit me ritme të shpejta varësinë nga Kina për furnizimin me mallra, ndërsa importet nga partnerët tradicionalë, Bashkimi Europian dhe Turqia, kanë shënuar rënie gjatë vitit 2025. Të dhënat zyrtare tregojnë një zhvendosje të qartë të strukturës së importeve drejt tregut kinez.

Gjatë vitit 2025, importet totale arritën në rreth 887.2 miliardë lekë, me një tkurrje vjetore prej rreth 0.8%. Rënia është ndikuar kryesisht nga ulja e importeve nga vendet e BE-së, të cilat zbritën në rreth 460.2 miliardë lekë, ose rreth 1.7% më pak krahasuar me vitin 2024.

Në të kundërt, importet nga Kina shënuan një rritje të fortë. Ato arritën në 118.8 miliardë lekë gjatë vitit 2025, me një rritje vjetore prej 21.6%. Si rezultat, pesha e Kinës në totalin e importeve u rrit në rreth 13.4%, nga 10.9% që ishte një vit më parë.

Kjo rritje ndodhi në një vit kur vlera e përgjithshme e importeve ishte në rënie, duke treguar se Kina po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një furnizues dominues për ekonominë shqiptare.

Sipas të dhënave të detajuara, makineritë dhe pajisjet përbëjnë zërin kryesor të rritjes. Importet e këtij grupi u rritën nga rreth 49 miliardë lekë në vitin 2024 në mbi 59.3 miliardë lekë në vitin 2025, me një shtesë prej më shumë se 10.3 miliardë lekësh, ose rreth 21%.

Materialet e ndërtimit shënuan një nga rritjet më të forta relative, duke arritur në mbi 19 miliardë lekë, ose rreth 48.8% më shumë se një vit më parë. Burime nga tregu tregojnë se ky grup dominohet nga importet e hekurit, i cili më herët importohej kryesisht nga BE-ja dhe Turqia.

Edhe tekstilet dhe këpucët pësuan rritje, duke kaluar nga rreth 14.5 miliardë lekë në 15.9 miliardë lekë, ose +9.6%. Kategoritë e tjera u rritën me rreth 14.2%, duke reflektuar një zgjerim të shpërndarë në disa nën-grupe importesh.

Produktet kimike nga Kina u rritën me rreth 13.3%, ndërsa prodhimet e drurit dhe mobiliet shënuan rritje mbi 25%. Po ashtu, importet e ushqimeve, pijeve dhe duhanit nga Kina u rritën nga rreth 1.78 miliardë lekë në mbi 2.09 miliardë lekë, ose +17.8%, duke treguar një rritje të varësisë edhe për mallra të konsumit bazë.

Në krahasim me periudhën para pandemisë, importet nga Kina janë thuajse dyfishuar, nga rreth 59.7 miliardë lekë në vitin 2019 në 118.8 miliardë lekë në vitin 2025. Arsyeja kryesore lidhet me konkurrencën e fortë në çmime të mallrave kineze krahasuar me ato nga tregjet europiane dhe turke.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related